
Gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Koha Jonë-Debat” nga Nikoll Lesi, ka bërë deklarata lidhur me përdorimin e aplikacioneve të enkriptuara Sky ECC dhe EncroChat, duke pretenduar se këto mjete komunikimi nuk përdoreshin vetëm nga pjesëtarë të krimit të organizuar, por edhe nga politikanë dhe zyrtarë të lartë shqiptarë. Hoxha deklaroi se ishte ai që kishte bërë denoncimin e parë publik për Sky ECC në gazetën britanike “Daily Express”, në vitin 2020.
“Denoncimi i parë publik i Sky-t në kontinent, por edhe në planet, është bërë nga unë. E kam bërë në gazetën ‘Daily Express’, sepse unë e përdorja EncroChat-in në atë kohë”, deklaroi gazetari. Hoxha tregoi se pas publikimit të shkrimit, kompania Sky ECC kishte kërcënuar gazetën britanike me një padi, duke kërkuar tërheqjen e artikullit dhe duke pretenduar një dëmshpërblim prej gjysmë miliardi eurosh.
Sipas tij, kompania ishte tërhequr më pas nga padia, ndërsa kishte kërkuar ndryshimin e një pjese të artikullit në versionin online. Gazetari rrëfeu se publikimi kishte tërhequr edhe vëmendjen e një këshilltari të presidentit të atëhershëm, Ilir Meta, i cili e kishte kontaktuar për të diskutuar mbi përdorimin e këtyre pajisjeve në Shqipëri.
“Të ka thirrur njeri ty për këtë që ke bërë? Se kjo është shumë e rëndësishme. Askush, i thashë. Më pyeti: Po kush nga politikanët e përdor këtu?”, rrëfeu Hoxha. Gazetari tregoi se i kishte nxjerrë këshilltarit telefonin e posaçëm që përdorej për komunikimin në EncroChat, duke e pyetur nëse e kishte parë më parë një pajisje të tillë gjatë mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“E ke parë këtë telefonin në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare? ‘Po, po, e kam parë’, më tha”, deklaroi Hoxha. I pyetur nga Nikoll Lesi nëse pajisje të tilla zotëroheshin nga ndonjë anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, gazetari u përgjigj: “Po, unë po të them, e kishin ata të mëdhenjtë, të lartët.”
Hoxha nuk përmendi emra konkretë të politikanëve apo zyrtarëve që, sipas tij, përdornin këto pajisje, ndërsa theksoi se përdorimi i një telefoni të enkriptuar nuk përbën në vetvete veprimtari kriminale. “Nëse më pyet, nuk e përdornin vetëm kriminelët, e përdornin edhe politikanët. Kjo pajisje nuk është kriminale, por rëndësi ka se për çfarë e përdor ti”, u shpreh gazetari.
