Thirrjet për largimin e Edi Ramës nga pushteti vijojnë të mbajnë qytetarët në rrugë, ndërsa protesta e përditshme në Tiranë ka shënuar sot 179 ditë që nga nisja e saj.
Pas gati gjashtë muajsh qëndrese, lëvizja qytetare po orienton tashmë energjitë drejt një tjetër momenti mobilizimi, protestës mbarëkombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor. Data përkon me Ditën e Pavarësisë dhe synimi i organizatorëve është që tubimi të kapërcejë kufijtë e kryeqytetit, duke sjellë në Tiranë pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të vendit.
Vetëm tri ditë para këtij tubimi, në protestën e sotme është rikthyer apeli për bashkim dhe pjesëmarrje masive. Mesazhi i përcjellë nga protestuesit është që kjo lëvizje të mos identifikohet me një forcë apo bindje të caktuar politike, por të shërbejë si një reagim i përbashkët qytetar.
Për pjesëmarrësit, 28 nëntori shihet si një provë e rëndësishme për shtrirjen e protestës dhe aftësinë e saj për të mobilizuar qytetarë përtej Tiranës. Kërkesa që ata vijojnë të artikulojnë është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.
Ndërkohë, protestuesit paralajmërojnë se tubimi i festës kombëtare nuk do të shënojë fundin e qëndresës. Sipas tyre, protestat e përditshme do të vazhdojnë edhe pas 28 nëntorit, deri në realizimin e kërkesave të shpallura prej tyre.












