Në një fshat në jug të Ukrainës, fëmijët mësojnë shprehje në gjuhën shqipe përmes shfaqjeve teatrale, ndërsa të moshuarit ndihmojnë në ruajtjen e këngëve, përrallave dhe zakoneve të trashëguara ndër breza. Për komunitetin shqiptar në Karakurt, ruajtja e identitetit kombëtar është bërë një sfidë gjithnjë e më e madhe, në një kohë kur vendi përballet me luftën, të rinjtë largohen dhe gjuha e të parëve rrezikon të zhduket, shkruan Telegrafi.

Në rajonin e Odesës, shqiptarët, bullgarët dhe gagauzët jetojnë krah për krah në Karakurt, një fshat ku bashkëjetesa ndërmjet këtyre komuniteteve ndër vite ka krijuar edhe lidhje të ngushta familjare.


Sipas një reportazhi të publikuar më 23 nëntor 2026 nga mediumi ukrainas Gard.City, Karakurti është i vetmi fshat nën kontrollin e Ukrainës ku pjesëtarët e komunitetit shqiptar jetojnë të përqendruar. Tri fshatra të tjera me komunitet shqiptar, të cilat ndodhen në rajonin e Zaporizhjas, aktualisht janë nën pushtim.

Hanna Zhelyaskova, drejtoreshë e Shtëpisë së Kulturës në Karakurt, dhe Violetta Shishman, drejtuese e Qendrës Shqiptare, kanë rrëfyer për mediumin ukrainas se si komuniteti vazhdon të ruajë trashëgiminë e tij, pavarësisht sfidave gjuhësore dhe demografike.

Gjuha që mbijetoi ndër shekuj, sot rrezikon të zhduket

Sipas Zhelyaskovas, paraardhësit e shqiptarëve të këtij rajoni u larguan nga Shqipëria 400 vjet më parë, jetuan në Bullgari për 200 vjet dhe më pas u vendosën në Budzhak, së bashku me bullgarët dhe gagauzët, transmeton Telegrafi.

Megjithëse arritën ta ruanin gjuhën e tyre përgjatë këtij rrugëtimi, sot e folmja tradicionale shqipe e këtij komuniteti rrezikon të zhduket.

“Gjuha jonë nuk ka sistem shkrimi dhe është përcjellë brez pas brezi — si këngët, si përrallat, nga babai te djali. Fatkeqësisht, ajo po zhduket”, ka treguar Zhelyaskova për Gard.City.

Ajo shpjegon se një goditje e rëndësishme ndaj ruajtjes së gjuhës amtare erdhi gjatë periudhës sovjetike, kur shumë familje filluan të komunikonin në rusisht.

“Në kohën sovjetike, kur flisje gjuhën tënde amtare, perceptohej sikur ishe 'fshatar' - nuk ishte në modë. Të gjithë filluan të flisnin rusisht, kështu që gjuha shqipe, për fat të keq, po shuhet. Edhe pse është arkaike dhe shumë e lashtë”, ka shpjeguar ajo.

Vetë Zhelyaskova e njeh gjuhën e saj amtare, por djali i saj nuk e di, pasi në familje kanë komunikuar në rusisht.

Në përpjekje për ta ndryshuar këtë situatë, Qendra Shqiptare në Karakurt punon me fëmijët, duke organizuar shfaqje teatrale në shqip dhe duke u mësuar atyre shprehje në gjuhën e paraardhësve.

Lufta që ndau familjet shqiptare në Ukrainë

Ndërsa ruajtja e gjuhës kishte qenë një sfidë prej brezash, shpërthimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 e vuri komunitetin shqiptar përballë vështirësive të tjera.

Në një raportim të 8 majit 2022, Radio Evropa e Lirë kishte sjellë rrëfimet e shqiptarëve që u përballën me pasojat e luftës.

Aleksandr Dermentli, atëherë 55-vjeçar, i cili udhëhiqte Shoqatën “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës”, kishte treguar se në Ukrainë jetonin rreth 5,000 shqiptarë, kryesisht në rajonet e Odesës dhe Zaporizhjas.

Në muajt e parë të luftës, Karakurti ishte bërë strehë për shqiptarët e zhvendosur nga zonat e Kievit dhe Odesës.

Dermentli kishte ndihmuar disa gra dhe fëmijë të largoheshin nga Ukraina, ndërsa familje me prejardhje shqiptare ishin zhvendosur drejt Shqipërisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Zvicrës.

Vetë ai kishte vendosur të qëndronte në vendin e tij.

“Çfarëdo që të ndodhë në Ukrainë, unë do të jem këtu”, kishte deklaruar Dermentli për Radion Evropa e Lirë.

Një tjetër histori ishte ajo e Nelli Syupyur, e cila në moshën 43-vjeçare ishte larguar nga Odesa së bashku me djalin e saj trevjeçar, ndërsa bashkëshorti kishte mbetur në Ukrainë.

Pasi kishin udhëtuar me tren drejt Lvivit, nënë e bir kishin përshkuar më shumë se 30 kilometra në këmbë për të kaluar kufirin me Poloninë. Me ndihmën e shqiptarëve nga Gjermania, ata ishin sistemuar në qytetin gjerman Gisen.

Flamuri kuqezi pranë atij ukrainas, në nderim të shqiptarëve që humbën jetën në luftë

Për komunitetin shqiptar, pasojat e luftës nuk u kufizuan vetëm në zhvendosjen dhe ndarjen e familjeve.

Më 23 tetor 2023, Euronews Albania raportoi për dy pjesëtarë të diasporës shqiptare që kishin humbur jetën duke luftuar për Ukrainën.

Anatoly Dermentli, i lindur më 3 shtator 1980, ishte nga fshati Karakurt. Ai humbi jetën më 15 tetor 2023.

Ndërkaq, Danylo Haydarzhy, i lindur më 26 janar 2002 në një familje shqiptare në fshatin Georgivka, në rajonin e Zaporizhjas, iu bashkua vullnetarisht Forcave të Armatosura të Ukrainës në vitin 2023.

Ai humbi jetën në moshën 21-vjeçare.

Pamjet nga ceremonia mortore në Zaporizhja tregonin arkivolet e tyre të mbuluara me flamurin ukrainas dhe atë shqiptar.

Sipas Euronews Albania, fotografitë personale të Haydarzhyt tregonin se ai mbante në krah edhe një tatuazh me shqiponjën dykrenare.

Fshati ku largimi i të rinjve rrezikon trashëgiminë e brezave

Në vitin 2026, përveç realitetit të luftës, Karakurti vazhdon të përballet edhe me një sfidë demografike.

Sipas Zhelyaskovas, në reportazhin e Gard.City, fshati numëron rreth dy mijë banorë, por për shkak të largimit të njerëzve, veçanërisht jashtë vendit, aktualisht aty jetojnë afërsisht një mijë.

Mungesa e të rinjve të moshës 18 deri në 30 vjeç është një nga shqetësimet më të mëdha të komunitetit.

Mundësitë e kufizuara në fshat bëjnë që shumë prej tyre të largohen drejt qyteteve të mëdha ose jashtë vendit dhe të mos kthehen më. Sipas Zhelyaskovas, edhe fëmijët e tyre asimilohen dhe kalojnë në një gjuhë tjetër, përcjell Telegrafi.

Nga këngët e të moshuarve te veshjet tradicionale të fëmijëve

Pavarësisht këtyre vështirësive, në Karakurt përpjekjet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore vazhdojnë.

Violetta Shishman, drejtuese e Qendrës Shqiptare, ka treguar për Gard.City se ekipi i saj po punon për ringjalljen e zakoneve të harruara, mbledhjen e këngëve, përrallave dhe poezive nga banorët e moshuar, si dhe krijimin e një grupi etnografik ku përfshihen njerëz të të gjitha moshave.

Gjatë vitit 2026, në komunitet janë hapur tri dhoma muzeale. E para i kushtohet jetës së përditshme dhe mjeteve të punës, e dyta traditës së endjes dhe punimeve me dorë, ndërsa e treta rikrijon atmosferën e një banese të brezave të kaluar.

Banorët kanë filluar të kontribuojnë duke dhuruar objekte të trashëguara familjare dhe fotografi.

Një projekt tjetër që po përgatitet synon të dokumentojë komunitetin përmes fotografive të vjetra dhe bashkëkohore të banorëve.

Në këto përpjekje janë përfshirë edhe fëmijët. Më shumë se 70 pjesëmarrës të rinj morën pjesë në kremtimin e themelimit të fshatit, ku prezantuan veshje tradicionale, nga modelet më të vjetra deri tek ato të viteve 1970.

“Ne zgjedhim kombësinë tonë sipas thirrjes së zemrës”

Në Karakurt, bashkëjetesa ndërmjet shqiptarëve, bullgarëve dhe gagauzëve ka bërë që traditat e tri komuniteteve të ndërthuren, ndërsa lidhjet familjare i kanë afruar edhe më shumë banorët.

“Në fshatin tonë, ne zgjedhim kombësinë tonë sipas thirrjes së zemrës sonë - si ndihemi për veten tonë”, ka treguar Zhelyaskova për Gard.City.

Pavarësisht luftës, largimit të banorëve dhe rrezikut të humbjes së trashëgimisë gjuhësore, Karakurti vazhdon të kremtojë festat tradicionale, përfshirë Kurbanin në maj dhe Ditën e Fshatit.

Pikërisht këto festa mbeten një mundësi për ata që janë larguar që të kthehen në Karakurt, të takohen me komunitetin dhe të ruajnë lidhjen me rrënjët e tyre./Telegrafi/