Ish-ylli i Premier League përballet me drejtësinë, 12 muaj burg për Sterling

Futbollisti anglez Raheem Sterling është dënuar me 12 muaj burg për drejtim të rrezikshëm të automjetit, pas një incidenti me Lamborghini-n e tij në disa rrugë në Angli. Megjithatë, ish-lojtari i Liverpoolit, Manchester Cityt, Chelseat dhe Arsenalit do ta vuajë dënimin me kusht për 18 muaj, duke i shpëtuar burgut efektiv.
Përveç dënimit me kusht, 31-vjeçari është urdhëruar të kryejë 100 orë shërbim ndaj komunitetit dhe i është ndaluar drejtimi i automjetit për dy vjet.
Sterling kishte pranuar më herët akuzat për drejtim të rrezikshëm në autostradat M25 dhe M3, si dhe në rrugët A327 dhe Minley Road, në Hampshire. Incidenti përfundoi me një aksident më 28 maj.
Gjatë procesit gjyqësor, futbollisti pranoi gjithashtu se kishte në zotërim gjashtë bombola me oksid azoti, të cilat dyshohet se i mbante për përdorim të paligjshëm. Ai pranoi edhe se kishte refuzuar t’i jepte policisë një mostër.
Gjatë seancës në Gjykatën e Magjistraturës në Basingstoke, gjyqtarja Kirsty Allman e përshkroi Sterlingun si një person me “reputacion të mirë”, duke vlerësuar se “karakteri i tij ka qenë shembullor”.
Futbollisti nuk shfaqi asnjë reagim të dukshëm teksa u lexua vendimi i gjykatës.




