Berisha: Zero tolerancë ndaj karteleve të drogës. 35% zhvlerësim i euros është taksë e fshehtë mbi eksportet dhe prodhimin

20:06, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në fjalën e mbajtur në tryezën për narko-euron, kryetari i PD , Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij se, ka lejuar që narko-euroja të godasë rëndë ekonominë shqiptare, duke dëmtuar prodhimin vendas, eksportet dhe kursimet e qytetarëve.

Ai e cilësoi zhvlerësimin e euros si një ‘taksë të fshehtë’ prej 35% mbi eksportet dhe prodhimin, ndërsa kërkoi luftë me zero tolerancë ndaj karteleve të drogës. Berisha theksoi se PD synon ndërtimin e një ekonomie prodhuese, ku ‘Made in Albania’ të jetë krenari kombëtare.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Ju falënderoj shumë për ndërhyrjet dhe komentet për një problem themelor të ekonomisë sonë, një faktor me fuqi të madhe shkatërrimtare. Dhe, siç e konstatoni, me një fuqi të pandalshme që vjen duke u forcuar çdo muaj e me radhë.

Fuqinë më të madhe ky faktor toksik e dëshmoi këtë muaj, ku numri i turistëve është më i pakti në të gjithë vitin.

Duhet të jemi të qartë: nuk është Banka e Shqipërisë që e ka krijuar këtë. Jo. Dhe prirja jonë është respekti ndaj këtij institucioni dhe rolit të tij. Por heshtja e Bankës është absolutisht e papranueshme për ne. E papranueshme për të gjithë ata të cilët përballen me pasoja të rënda.

Sipas një studimi të një reviste të paanshme, serioze, rezulton se mbi 75% e të anketuarve kanë dëshmuar për pasoja negative nga narko-euroja, nga zhvlerësimi i euros. Kjo është ndjerë në 89% të rasteve në rrethin e bizneseve, në 67% në ekonominë personale, tek individi. Dhe kjo është një e vërtetë shumë e hidhur.

Po si është ndjerë tek individi? Çdo qytetar shqiptar përballet me rritje më të madhe të çmimeve se në çdo vend tjetër, në Shqipëri, për shkak të narko-eurove.

Do t'ju jap shifrat e INSTAT-it. Në vitin 2005, çmimet e shportës në Shqipëri kushtonin 73% të mesatares europiane. Në vitin 2013, kjo ra në 66%, ra në 66% sepse u rrit prodhimi vendas. Sot është 103%.

Jo vetëm se narko-eurot shkatërrojnë prodhimin, por ato, në përpjekjen që bën Banka për t'i neutralizuar, për ta mbrojtur, një përpjekje e ligjshme, bëjnë që paratë në qarkullim, leku, letra e lekut në qarkullim, të jetë dy herë më e madhe se ç'duhet. Dhe inflacioni është raport monetar. Dhe ky inflacion nuk vjen më nga prodhimi, por lidhet direkt me euron, sepse ka hedhur vetëm vitin e kaluar 90 miliardë lekë.

Imagjinoni ju: thasë dhe vagonë me letër leku në treg. Kjo rrit çmimet, kjo rrit inflacionin. Vetëm me këtë, plus faktorin e goditjes së prodhimit.

Pra, ishim me 73, zbritëm me 66 të çmimit, u ngjitëm me 103. Jemi më të shtrenjtë për shportën e ushqimeve sesa vendet e Bashkimit Europian. Çdo shqiptar e paguan këtë në xhepin e vet.

Janë një numër shumë i madh, qindra mijëra pensionistë, që mbahen me paratë që u dërgojnë fëmijët e tyre, familjarët e tyre nga Europa dhe bota. 30%, 35% zhvlerësim më pak. Pra, në qoftë se merrnin 100 euro, tani ato kanë vlerën e 70 eurove.

Kursimet, me dhjetëra mijëra, në mos qindra mijëra shqiptarë, duke e konsideruar euron monedhë të sigurt, se ashtu është ajo, është e sigurt dhe dollari, kanë depozituar kursime në euro. Sa thoni ju? 8 miliardë. Janë zhvlerësuar të paktën me 260 miliardë lekë sot. Kursimet e qytetarëve, nuk marr kursimet e tjera, kursimet e qytetarëve janë të zhvlerësuara sot me 260 miliardë lekë.

Baronët e drogës dhe qeveritarët u shtojnë miliardat me betonin dhe kullat e të tjerë. Prodhimi bie, humbje vendesh pune.

Ndaj dhe lufta me zero tolerancë ndaj karteleve të drogës, absolutisht kudo që janë, do të bëhet me të gjithë forcën e ligjit: në Durrës, Elbasan, Ekuador, Shkodër, Kolumbi dhe kudo tjetër. Luftë frontale, luftë me të gjitha mjetet, sepse janë ata të cilët po e rrokullisin Shqipërinë, Edi Ramën dhe ministrat e tij.

Ndaj dhe ju bëj thirrje shqiptarëve të përballemi me këtë regjim shkatërrimtar.

Turizmi janë gënjeshtra ato që thonë. E vërteta është se të ardhurat reale nga turizmi në Shqipëri nuk janë as gjysma e atyre që merr Mali i Zi, i cili ka një statistikë të ndershme. Unë, thotë, pata 2 milionë net-fjetje dhe mora 8 apo 9 miliardë të ardhura. Kurse ky pasagjerët e EasyJet-it i shpall turistë dhe del, po të bëjmë llogaritë e tij, del sikur ata flenë në avion, sikur kanë shpenzuar në Shqipëri një natë 600 euro. Kjo është e vërteta.

Ndaj dhe ka vetëm një qëndrim: zero tolerancë dhe t'u shtypet koka kudo që gjenden. Dhe ju garantoj se, ashtu siç kanë pësuar bandat në vitin 2005-2006, më keq do ta pësoni ju. Më keq do ta pësoni ju.

Ne qëndrojmë për një ekonomi prodhuese. E shpallëm dhe e mbajmë përsëri: Made in Albania do të jetë krenaria jonë kombëtare. Prodhimi shqiptar, nxitja e prodhimit me të gjitha mundësitë.

U fol për taksat, e thamë edhe një herë. 35% euro e zhvlerësuar është taksë 35% mbi eksportet dhe prodhimin. Është taksë e fshehtë, e padeklaruar. Ndaj dhe vetëm ky faktor, po të çlirohet ekonomia, do të përjetojë bumin që meriton.

Faleminderit për komentet, angazhimet. Falënderojmë edhe një herë Enon për studimin e thelluar dhe shumë të argumentuar që paraqiti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco