Wizz Air është gati të operojë programin më të madh dimëror të fluturimeve në historinë e saj. Në prag të sezonit të ngarkuar të festave të fundvitit, kompania ajrore po bashkëpunon ngushtë me aeroportet, ekipet e shërbimeve tokësore dhe ofruesit e shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror në të gjithë rrjetin e saj, për t’u përgatitur për kushtet atmosferike dimërore dhe për të mundësuar një mbarëvajtje sa më të mirë të fluturimeve.
Reshjet e dëborës dhe stuhitë dimërore mund të ngadalësojnë operacionet aeroportuale, ndërsa nisjet e fluturimeve mund të kërkojnë më shumë kohë kur disa avionë duhet t’i nënshtrohen njëkohësisht procesit të heqjes së akullit. Wizz Air dhe partnerët e saj po koordinojnë përgatitjet për të minimizuar ndikimin tek pasagjerët.
Wizz Air hyn në sezonin dimëror pas një performance të suksesshme gjatë verës. Nga prilli deri në shtator 2026, kompania ajrore operoi 23% më shumë fluturime krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke regjistruar njëkohësisht një numër ndjeshëm më të ulët të anulimeve.
“Pavarësisht nëse po udhëtoni drejt shtëpisë për të takuar familjarët dhe miqtë, apo drejt një destinacioni me diell për t’u çlodhur në fund të vitit, ne e dimë se sa të rëndësishme janë këto udhëtime për ju. Ekipet tona janë të përgatitura për periudhën me fluksin më të lartë të festave dhe po bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë për t’ju ndihmuar të mbërrini në destinacionin tuaj në mënyrë të sigurt dhe në kohë. Disa veprime të vogla gjatë procesit të hipjes në avion mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm dhe ne e vlerësojmë bashkëpunimin tuaj”, – u shpreh Vera Jardan, Menaxhere e Komunikimit Korporativ në Wizz Air Albania.
Fluksi i udhëtimeve gjatë festave shoqërohet gjithashtu me më shumë veshje, të tilla si, pallto dimërore dhe bagazhe dore të mbushura me dhurata, ndaj hapësirat e bagazheve mbi sedilje mund të mbushen shpejt. Wizz ju udhëzon të ndiqni tre hapa të thjeshtë që mund të ndihmojnë të gjithë pasagjerët të sistemohen më shpejt dhe të kontribuojnë në nisjen në kohë të fluturimeve.
- Vendosni fillimisht valixhen me rrota në hapësirën e bagazheve mbi sedilje. Nëse udhëtoni me një valixhe dore me përmasa më të mëdha, sistemojeni atë përpara se të vendosni pallton sipër saj. Gjithashtu, mund ta mbani pallton veshur ndërsa jeni ulur. Ju lutemi, mbajeni korridorin e avionit të lirë dhe ndiqni udhëzimet e ekuipazhit të kabinës.
- Vendosni çantën më të vogël poshtë sediljes përpara jush. Kjo mundëson më shumë hapësirë në ndarjet e bagazheve mbi sedilje për valixhet më të mëdha të dorës dhe veshjet dimërore.
- Drejtohuni menjëherë te vendi juaj i caktuar. Ulja në vendin e shënuar në kartën tuaj të imbarkimit i ndihmon pasagjerët që vijnë pas jush të arrijnë më shpejt në vendet e tyre. Nëse keni nevojë për ndihmë lidhur me vendin tuaj, ju lutemi drejtojuni një anëtari të ekuipazhit të kabinës.
Mbajini bateritë portative (power bank) në një vend lehtësisht të arritshëm. Bateritë portative duhet të transportohen në kabinën e avionit, ku mund t’i mbani nën vëzhgim. Mbajini me vete ose në çantën e vendosur poshtë sediljes përpara jush. Ato nuk duhet të vendosen në bagazhet e regjistruara apo në hapësirat e bagazheve mbi sedilje dhe nuk lejohet të përdoren apo të karikohen gjatë fluturimit.
Përpara se të nisen drejt aeroportit, Wizz Air inkurajon pasagjerët të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre dhe t’u kushtojnë vëmendje njoftimeve nga kompania ajrore, veçanërisht kur parashikohen kushte të vështira atmosferike dimërore.
Wizz Air falënderon pasagjerët për bashkëpunimin e tyre dhe pret me kënaqësi t’i mirëpresë në bord gjatë këtij sezoni dimëror.



























