E mërkurë, 25 nëntor 2026 · Tiranë Facebook
Ekonomi

Kunati i Manastirliut, “beu” i tregut të energjisë; Albi Gjenerali në krye të FTL-së me miliona euro fatura dhe kontrolle të pambyllura

Albi Gjenerali vazhdon negociatat me biznesmenët e energjisë për kontratat miliona euroshe, ndërsa në duart e kunatit të Ogerta Manastirliut janë përqendruar administrimi i faturave, njohja e detyrimeve dhe likuidimi i pagesave me paratë e shtetit, pa u sqaruar plotësisht dosja financiare e 2.3 milionë eurove.

Kunati i Ogerta Manastirliut mori drejtimin e FTL-së me një dosje të KLSH-së për 10 kompani fotovoltaike, me diferenca prodhimi të përllogaritura në 2,35 milionë euro. Një vit pas emërimit të tij, rekomandimi i audituesve rezultonte ende pjesërisht i pazbatuar, ndërsa kompania që administron Gjenerali ka përqendruar 71% të konsumit në tregun e liberalizuar të shpërndarjes së energjisë.

Aktiviteti i administratorit të Furnizuesit të Tregut të Lirë, Albi Gjenerali, nuk ka të bëjë vetëm me përqendrimin e tregut të energjisë elektrike në kompaninë shtetërore që administron, por dhe me mënyrën se si janë trajtuar interesat financiare të biznesmenëve të fotovoltaikëve, për të cilët KLSH kishte evidentuar problematika miliona euroshe.

Kur në datën 30 nëntor 2023, kunati i Ogerta Manastirliut u emërua në krye të FTL-së, në zyrat e kësaj kompanie shtetërore ishte dhe dosja e auditimit për 10 kompani fotovoltaike, të cilat kishin faturuar 23,56 milionë kWh energji elektrike mbi nivelin e prodhimit të përllogaritur nga ekspertët e KLSH-së, me vlerë 2 milionë e 356 mijë euro.

Për këtë batërdi financiare të evidentuar në përllogaritjet e audituesve, KLSH kishte kërkuar verifikimin e kapaciteteve prodhuese të centraleve fotovoltaike dhe marrjen e masave kontraktore sipas rezultateve të kontrollit.

Mirëpo, një vit pasi Albi Gjenerali ishte ulur në karrigen e administratorit të FTL-së, KLSH konstatoi se rekomandimi për dosjen e 2,35 milionë eurove ishte zbatuar vetëm pjesërisht.

Me gjithë kompetencat që kishte për administrimin e kontratave me biznesmenët e energjisë, Gjenerali nuk mund të justifikojë zvarritjen e kësaj çështjeje vetëm me propozimin për ndryshimin e kontratave, ndërkohë që KLSH kërkonte zbatimin e plotë të rekomandimeve.

Në dosjen e auditimit dalin dhe tri kompani të lidhura me grupin e biznesmenit kontrovers Gerian Kuka, konkretisht “SONNE”, “AGE SUNPOWER” dhe “AED SOLAR”, për të cilat audituesit kishin përllogaritur diferenca prodhimi me vlerë 753 mijë euro.

Në të njëjtën dosje del dhe kompania fotovoltaike “SEMAN2SUN”, pjesë e rrjetit të bizneseve energjetike të Arben Gogës, me një efekt financiar të përllogaritur nga KLSH në afro 223 mijë euro.

AKBN deklaroi se kapacitetet prodhuese përputheshin me licencat, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk kishte nxjerrë aktet administrative të kërkuara. KLSH, megjithatë, nuk e konsideroi rekomandimin të zbatuar plotësisht.

Ndërsa dosja e auditimit zvarritej mes institucioneve, kunati i Ogerta Manastirliut vazhdonte të administronte kontratat miliona euroshe me biznesmenët e energjisë dhe të zgjeronte peshën e FTL-së në tregun e liberalizuar.

Albi Gjenerali vazhdon të administrojë kontratat, faturimin dhe pagesat ndaj biznesmenëve të energjisë, nëpërmjet një mekanizmi ku FTL-ja blen energjinë nga prodhuesit privatë dhe i likuidon me paratë e shtetit. Pikërisht te njohja e sasive të energjisë, përllogaritja e çmimeve dhe miratimi i faturave qëndron mundësia e abuzimit financiar, nëpërmjet së cilës biznesmenët mund të përfitojnë para për energji të paprodhuar realisht, me firmën e kunatit të Manastirliut.

Gjatë vitit 2025, kompania që administron Gjenerali kontrollonte 71% të konsumit në tregun e liberalizuar të shpërndarjes, ndërsa në segmentin e tensionit 10 kV kontrollonte afro 89%.

Me këtë përqendrim të tregut, kunati i Ogerta Manastirliut është bërë një nga administratorët më të fuqishëm të kontratave shtetërore të energjisë elektrike, ku përplasen interesat financiare të biznesmenëve të hidrocentraleve, fotovoltaikëve dhe kompanive të tregtimit të energjisë.

Në datën 20 tetor 2026, me vendimmarrjen e ERE-s për kompensimin e prodhuesve privatë të energjisë, Gjeneralit i është ngarkuar dhe administrimi i rakordimeve financiare, ku vetëm për periudhën qershor-dhjetor 2020, efekti paraprak financiar është përllogaritur në 207 milionë lekë.

Përgjegjësia e Albi Gjeneralit për dosjen e fotovoltaikëve nuk zhduket me korrespondenca burokratike, ndryshime kontratash e shkëmbime shkresash ndërmjet institucioneve që administrojnë paratë e energjisë.

Pas tre vitesh në krye të FTL-së, kunati i Ogerta Manastirliut duhet të tregojë se çfarë ka bërë me dosjen e 2,35 milionë eurove, cilat masa kontraktore ka marrë ndaj kompanive të evidentuara nga KLSH dhe përse nuk është bërë publik rezultati përfundimtar i zbatimit të rekomandimeve.

Sepse FTL është pronë e shtetit shqiptar dhe jo çiflig energjetik i familjarëve të pushtetit, ku administratorët kanë kompetenca për të firmosur kontrata miliona euroshe, ndërsa përgjegjësinë për paratë e administruara ia kalojnë njëri-tjetrit. /Pamfleti

Të fundit

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *