Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar një tjetër mesazh në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se fundin e qeverisjes së tij do ta vendosë sovrani. Gjatë fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje mbështetësve të opozitës të vijojnë denoncimin e qeverisë, duke e cilësuar Shqipërinë si një narkoshtet.
Ai ngriti shqetësimin edhe për efektet e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros dhe dollarit në ekonomi, ndërsa akuzoi qeverinë se po hesht për këtë problem. Berisha u ndal edhe te protestat dhe reagimi i policisë ndaj të rinjve, duke paralajmëruar Ramën se do të përballet me përgjigjen e qytetarëve.
“Çfarë duhet të bëjmë ne?
Ne duhet të luftojmë, të luftojmë dhe vetëm të luftojmë.
Ne duhet të qëndrojmë në mbrojtje të interesit tonë kombëtar, në mbrojtje të interesit tonë publik.
Ne nuk duhet kurrë të hezitojmë, të heshtim.
Sot Shqipëria, sot që flasim, me të gjitha të dhënat ndërkombëtare, është narkoshteti më i konsoliduar i planetit.
Është më narkoshtet për sa i përket efektit të drogës në ekonomi se Kolumbia, se Brazili, se Meksika dhe se çdo shtet tjetër.
Po ky narkoshtet që negocion për integrimin në BE dhe anëtar i NATO-s, të gjithë bëjnë sikur nuk e shohin.
A mund të bëjmë ne sikur nuk e shohim këtë?
Historia do të na ndëshkonte ne.
Do të ishte një tradhti e madhe ndaj interesit publik, interesit qytetar në qoftë se ne do heshtnim ndaj narkoshtetit.
Sot leku, që vlen 50 përqind më pak se në vitin 2013, në raport me euron dhe dollarin, është monedha më e fortë e planetit. Me distancë nga çdo monedhë tjetër.
Që po shkatërron në mënyrë progresive, të pandalshme ekonominë tonë.
Dëgjohet kund ndonjë fjalë përveçse në audienca të kufizuara dhe gazetarë? Jo.
Atëherë çfarë na mbetet ne?
Na mbetet të ngremë edhe më shumë zërin.
Na mbetet të mos rreshtim së denoncuari me të gjitha mundësitë tona, të bindur se kohërat i ka të shkurtra ky regjim.
Edhe njëherë i them Edi Ramës se i fundit do të flasë sovrani.
Ndaj dhe thyej sa të duash kocka të rinjsh aty, por përgjigjen do ta marrësh siç e meriton.”, tha Berisha.



























