
Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Rama se ka shkatërruar ekonominë përmes eurove të futura në vend nga kartelet e kokainës.
Në takimin mbi gjendjen ekonomike në vend, Berisha tha se zhvlerësimi i monedhës evropiane është taksë 35% mbi eksportet dhe prodhimin vendas ndërsa shtoi se qeveria demokrate do rikthejë ekonominë prodhuese.
“Ju falënderoj shumë për ndërhyrjet dhe komentet për një problem themelor të ekonomisë sonë, një faktor me fuqi të madhe shkatërrimtare. Dhe, siç e konstatoni, me një fuqi të pandalshme që vjen duke u forcuar çdo muaj e me radhë. Fuqinë më të madhe ky faktor toksik e dëshmoi këtë muaj, ku numri i turistëve është më i pakti në të gjithë vitin. Duhet të jemi të qartë: nuk është Banka e Shqipërisë që e ka krijuar këtë. Jo. Dhe prirja jonë është respekti ndaj këtij institucioni dhe rolit të tij. Por heshtja e Bankës është absolutisht e papranueshme për ne. E papranueshme për të gjithë ata të cilët përballen me pasoja të rënda. Sipas një studimi të një reviste të paanshme, serioze, rezulton se mbi 75% e të anketuarve kanë dëshmuar për pasoja negative nga narko-euroja, nga zhvlerësimi i euros. Kjo është ndjerë në 89% të rasteve në rrethin e bizneseve, në 67% në ekonominë personale, tek individi. Dhe kjo është një e vërtetë shumë e hidhur. Po si është ndjerë tek individi? Çdo qytetar shqiptar përballet me rritje më të madhe të çmimeve se në çdo vend tjetër, në Shqipëri, për shkak të narko-eurove.” – tha Berisha.