Celebrities Gossip Showbiz

Mariah Carey bëhet sërish Barbie, publikohet kukulla e re koleksionuese e frymëzuar nga hiti i Krishtlindjeve

Mariah Carey do të ketë një tjetër kukull Barbie të krijuar në nder të saj. Mattel ka prezantuar modelin e ri koleksionues, të frymëzuar nga albumi i saj i Krishtlindjeve i vitit 1994, “Merry Christmas”, dhe kënga ikonike “All I Want for Christmas Is You”.

Kukulla rikrijon pamjen e këngëtares në kopertinën e albumit, me një kostum festiv prej kadifeje të kuqe, të zbukuruar me detaje të bardha prej gëzofi. Veshja plotësohet nga një rrip i zi dhe çizme të zeza me taka të larta.

Edhe aksesorët janë përzgjedhur për të pasqyruar stilin karakteristik të artistes. Kukulla mban një varëse argjendi, unazën e famshme me flutur të Mariah Carey dhe një mikrofon argjendi. Ajo do të jetë e disponueshme në një paketim të veçantë për koleksionistët, me sfond dimëror me dëborë dhe inicialet e këngëtares.

“Krishtlindjet kanë qenë gjithmonë një periudhë kaq magjike për mua, ndaj fakti që Barbie feston sërish sezonin e festave së bashku me mua është diçka jashtëzakonisht e veçantë”, u shpreh Carey.

Ajo shtoi se ishte shumë argëtuese të shihte pamjen e saj festive të rikrijuar në formën e një kukulle Barbie, duke shpresuar që ajo të sjellë gëzim dhe atmosferë festive për fansat gjatë këtij viti.

Sipas revistës “Variety”, kjo është hera e dytë që kompania Mattel publikon një Barbie të frymëzuar nga këngëtarja. Modeli i parë u prezantua në nëntor të vitit 2023 dhe u shit brenda më pak se 24 orësh. Ai version ishte frymëzuar nga videoklipi i këngës “All I Want for Christmas Is You”, me një fustan të kuq të ndezur, me pala dhe një të çarë të theksuar.

POSTIMI