
Gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha, i ftuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në emisionin “Koha Jonë-Debat” nga Nikoll Lesi, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me materialet që disponon për eksponentët më të lartë të pushtetit. Hoxha ka lënë të kuptohet se në arkivën e tij personale ndodhen informacione ende të papublikuara, që prekin mazhorancën deri në nivelin e kryeministrit Edi Rama.
“Unë sot jam problem jo për ato që kanë dalë, por për ato që s’kanë dalë”, deklaroi gazetari. I pyetur nga Nikoll Lesi nëse disponon ende fakte të papublikuara, Hoxha u përgjigj se ka më shumë materiale nga ato që nuk kanë dalë sesa nga ato që janë bërë publike deri më sot.
Pjesë nga debati:
Lesi: Ke prapë fakte?
Hoxha: Po, patjetër. Ka më shumë nga ato që s’kanë dalë.
Lesi: Për mazhorancën?
Hoxha: Po, mazhorancën. Ata të tjerët kanë mbaruar.
Lesi: Deri ku shkon niveli?
Hoxha: Po një ka këtu, është kryeministri.
Lesi: Deri te kryeministri?
Hoxha: Po, kryeministri është.
Po ashtu ka folur për procesin gjyqësor ndaj tij, duke zbuluar detaje mbi akuzat që lidhen edhe me publikimin e një fotografie të kryeministrit Edi Rama me Ardian Çapjan.
Hoxha pretendon se publikimi i kësaj fotografie është interpretuar nga SPAK si bashkëpunim me Suel Çelën për të dëmtuar imazhin e një grupi rival. “Akuza është që unë kam bashkëpunuar me Suel Çelën për të dëmtuar Edi Ramën”, deklaroi gazetari, duke kundërshtuar këtë pretendim. Hoxha tregoi se në kohën kur publikoi fotografinë, kishte paralajmëruar edhe vetë kryeministrin për rrezikun që, sipas tij, mund t’i kanosej nga frekuentimi i ambienteve të lidhura me Çapjan. Gazetari këmbënguli se publikimi i materialeve të tilla është pjesë e detyrës së tij profesionale, pavarësisht se cilin politikan prekin.
