Vendosni fjalën kyçe....

“PD luftë frontale karteleve të kokainës” – Berisha


Kryedemokrati Berisha akuzoi kryeministrin Rama për shtrenjtim të kostove të jetesës për qytetarët përmes futjes në vend të lekëve të krimit të organizuar.

Ai tha gjithashtu se kursimet në euro dhe eurot që sjellin emigrantët për familjet e tyre janë zhvlerësuar në mënyrë kriminale duke çuar në të paktën 260 miliardë lekë.

“Do u jap shifrat e INSTAT-it. Në vitin 2005, çmimet e shportës në Shqipëri kushtonin 73% të mesatares europiane. Në vitin 2013, kjo ra në 66%, ra në 66% sepse u rrit prodhimi vendas. Sot është 103%.

Jo vetëm se narko-eurot shkatërrojnë prodhimin, por ato, në përpjekjen që bën Banka për t’i neutralizuar, për ta mbrojtur, një përpjekje e ligjshme, bëjnë që paratë në qarkullim, leku, letra e lekut në qarkullim, të jetë dy herë më e madhe se ç’duhet. Dhe inflacioni është raport monetar. Dhe ky inflacion nuk vjen më nga prodhimi, por lidhet direkt me euron, sepse ka hedhur vetëm vitin e kaluar 90 miliardë lekë. Imagjinoni ju: thasë dhe vagonë me letër leku në treg. Kjo rrit çmimet, kjo rrit inflacionin. Vetëm me këtë, plus faktorin e goditjes së prodhimit. Kursimet, me dhjetëra mijëra, në mos qindra mijëra shqiptarë, duke e konsideruar euron monedhë të sigurt, se ashtu është ajo, është e sigurt dhe dollari, kanë depozituar kursime në euro. Sa thoni ju? 8 miliardë. Janë zhvlerësuar të paktën me 260 miliardë lekë sot. Kursimet e qytetarëve, nuk marr kursimet e tjera, kursimet e qytetarëve janë të zhvlerësuara sot me 260 miliardë lekë.” – tha Berisha.

Kryedemokrati theksoi se qeveria e PD-së do ketë tolerancë zero ndaj karteleve të kokainës kudo janë ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve që të përballen me narkoqeverinë Rama.

“Baronët e drogës dhe qeveritarët u shtojnë miliardat me betonin dhe kullat e të tjerë. Prodhimi bie, humbje vendesh pune. Ndaj dhe lufta me zero tolerancë ndaj karteleve të drogës, absolutisht kudo që janë, do të bëhet me të gjithë forcën e ligjit: në Durrës, Elbasan, Ekuador, Shkodër, Kolumbi dhe kudo tjetër. Luftë frontale, luftë me të gjitha mjetet, sepse janë ata të cilët po e rrokullisin Shqipërinë, Edi Ramën dhe ministrat e tij. Ndaj dhe ju bëj thirrje shqiptarëve të përballemi me këtë regjim shkatërrimtar. Ndaj dhe ka vetëm një qëndrim: zero tolerancë dhe t’u shtypet koka kudo që gjenden. Dhe iu garantoj se, ashtu siç kanë pësuar bandat në vitin 2005-2006, më keq do ta pësoni ju. Më keq do ta pësoni ju. Ne qëndrojmë për një ekonomi prodhuese. E shpallëm dhe e mbajmë përsëri: Made in Albania do të jetë krenaria jonë kombëtare. Prodhimi shqiptar, nxitja e prodhimit me të gjitha mundësitë.” – theksoi Berisha.