Gazetari Sebastian Zonja e ka cilësuar mesazhin e ambasadorit amerikan gjatë vizitës së sotme në SPAK si një paralajmërim të fortë për zyrtarët e korruptuar, përfaqësuesit e krimit të organizuar dhe politikanët e përfshirë në afera korruptive.
Sipas gazetarit, deklaratat e diplomatit amerikan mund të përmblidhen në një mesazh të vetëm: “Ju erdhi fundi!”, ndërsa theksoi se paralajmërimi i Uashingtonit i drejtohet edhe kryeministrit Edi Rama.
“‘Ju erdhi fundi’ përkthehet në këtë deklaratë të ambasadorit amerikan, që është hera e tretë që shkon në SPAK. Është një mesazh për zyrtarët e korruptuar, krimin e organizuar apo politikanët që duhet të ndihen shumë të rrezikuar sot. Kjo ‘ju erdhi fundi’ është përsëritur sot në SPAK nga ambasadori amerikan”, u shpreh Zonja.
Gazetari u ndal edhe te mesazhet e ambasadorit për klimën e biznesit në Shqipëri, duke argumentuar se korrupsioni dhe mungesa e konkurrencës së ndershme në tenderët publikë përbëjnë pengesa për investimet amerikane.
“Ai tha se bizneset amerikane nuk vijnë në Shqipëri sepse ka korrupsion dhe nuk ndiqen procedurat me tenderët. Kur nuk çan dot biznesi amerikan, News24 nxirret nga zyrat dhe u vihen gjoba, e kuptoni çfarë ndodh këtu? Themi: A e dinë të huajt çfarë bëhet? Sot e tha qartë”, deklaroi gazetari.
Zonja e interpretoi gjithashtu deklaratën e ambasadorit për përdorimin e teknologjisë dhe gjurmimin e parave kriminale si një paralajmërim se komunikimet elektronike dhe transaksionet financiare mund të shërbejnë për hetimin e zyrtarëve të korruptuar. Sipas tij, mesazhinënkupton se as pozita politike dhe as pushteti nuk mund të garantojnë paprekshmëri përballë drejtësisë.
“Kjo tregon se nuk ka persona të pakapshëm dhe të paprekshëm nga drejtësia. Mesazhi i ka shkuar drejtpërdrejt edhe kryeministrit Rama”, theksoi Zonja.
Gazetari argumentoi se përgjegjësia për mënyrën se si funksionon qeverisja nuk mund të kufizohet vetëm te ministra apo drejtues të veçantë institucionesh, për sa kohë që vendimmarrja politike, sipas tij, është e përqendruar në duart e kryeministrit.
“Rama është personi më i pushtetshëm në Shqipëri. Është ai që ia jep drejtorët Belindës dhe ia heq me një të kërcitur gishti. Dhe mesazhi sot i erdhi nga vendi më i pushtetshëm në botë”, deklaroi Zonja.
