Ish-presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka njoftuar se do të kthehet në Spanjë më 12 dhjetor, pas nëntë vjetësh në ekzil, duke paralajmëruar një përpjekje të re për realizimin e pavarësisë së këtij rajoni.

Puigdemont e bëri njoftimin gjatë një konference për media në Bruksel, ku tha se do të udhëtojë me aeroplan drejt Barcelonës dhe se, pas mbërritjes, do të shkojë drejtpërdrejt në Parlamentin e Katalonisë.


“Do të kthehem në Katalonjë pa kërkuar leje dhe pa kërkuar falje, pa hequr dorë nga asgjë”, deklaroi ai.

Ish-lideri katalanas njoftoi gjithashtu se më 17 dhjetor do të mbajë një fjalim publik, gjatë të cilit do të prezantojë strategjinë e re të lëvizjes për pavarësinë e rajonit.

Puigdemont u largua nga Spanja në tetor të vitit 2017, pas referendumit për pavarësinë e Katalonjës, të cilin autoritetet spanjolle e shpallën të paligjshëm. Pas shpalljes së pavarësisë nga parlamenti rajonal, qeveria në Madrid mori masa për të vënë nën kontroll institucionet katalanase.

- YouTube youtu.be

Që atëherë, Puigdemont jetoi kryesisht në Belgjikë, ndërsa në Spanjë përballej me procedura gjyqësore për rolin e tij në përpjekjen për shkëputjen e Katalonisë.

Mundësia e rikthimit të tij lidhet me ligjin për amnisti, të miratuar nga parlamenti spanjoll në vitin 2024, i cili synonte t'u jepte fund procedurave gjyqësore ndaj personave të përfshirë në lëvizjen separatiste. Megjithatë, çështjet ligjore ndaj Puigdemontit kanë vazhduar të shoqërohen me debate dhe vendime gjyqësore.

Referendumi i vitit 2017 shkaktoi një nga krizat më të mëdha politike në historinë moderne të Spanjës dhe thelloi përplasjet ndërmjet Madridit dhe lëvizjes për pavarësinë e Katalonisë.

Ndërkohë, pavarësisht se mbështetja për shkëputjen e rajonit ka rënë krahasuar me vitet e krizës, Puigdemont synon ta rikthejë këtë çështje në qendër të debatit politik.

Kthimi i tij pritet të jetë një moment i rëndësishëm për politikën katalanase dhe marrëdhëniet me qeverinë qendrore në Madrid. /Telegrafi/