Deputetja Marjana Koçeku ka deklaruar se brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka pakënaqësi ndaj situatës aktuale dhe se disa anëtarë të mazhorancës po shqyrtojnë mundësinë e largimit nga partia.
E pyetur nëse kryeministri Edi Rama vijon të ketë kontrollin mbi deputetët socialistë, Koçeku pranoi se brenda grupit ka zëra kundër, por theksoi se pakënaqësia e shprehur privatisht nuk përbën një qëndrim politik nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete.
“Ka deputetë që mendojnë largimin dhe kanë pakënaqësi brenda vetes, por nëse kjo nuk përkthehet në një veprim të mirëfilltë politik, nuk ka vlerë”, u shpreh ajo.
Deklarata vjen në një moment kur përplasjet brenda Partisë Socialiste janë bërë gjithnjë e më të dukshme në publik, veçanërisht pas përjashtimit të Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar.
Koçeku shprehu pritshmërinë që rasti i Spiropalit të mos mbetet i vetmi dhe që edhe deputetë të tjerë socialistë të vendosin të shkëputen nga mazhoranca. Sipas saj, një zhvillim i tillë do të ishte një formë mbështetjeje për qytetarët që prej muajsh protestojnë kundër qeverisë.
“Shpresoj që të ketë shkëputje dhe kjo është gjëja më e mirë për të përkrahur protestën dhe për t’i hapur rrugë një procesi demokratik”, deklaroi deputetja.
Megjithatë, Koçeku nuk bëri publikë emrat e deputetëve që mund të jenë duke shqyrtuar largimin, duke lënë të hapur mundësinë e zhvillimeve të tjera brenda grupit socialist. Ajo nënvizoi se vetëm një vendim konkret politik mund të tregojë nëse pakënaqësitë e përfolura do të shndërrohen në një çarje të mëtejshme të mazhorancës.













