Një tjetër anije mallrash me flamur iranian është vënë në shënjestër të dronëve detarë ukrainas pranë brigjeve të Bengazit në Libi. Sulmi dyshohet se është pjesë e një operacioni më të gjerë kundër rrjeteve të kontrabandës së pajisjeve ushtarake iraniane.

Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, objektiv i sulmit të së dielës ishte anija “Alvan”, e cila dyshohet se transportonte pajisje elektronike të avancuara për prodhimin e dronëve, të siguruara nga Kina dhe India.

Sipas raportimit, ngarkesat dërgoheshin fillimisht në Libi, ku ripaketoheshin përpara se të niseshin drejt Iranit. Anija ishte regjistruar pranë brigjeve të Bengazit në momentin kur u godit.

Gazeta italiane pretendon se operacioni është realizuar nga Ukraina në emër të Shteteve të Bashkuara, ndërsa autoritetet ukrainase nuk kanë marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin.

“Alvan” rezulton të jetë në listën e sanksioneve amerikane që prej vitit 2020. Ajo dyshohet se ka ndryshuar disa herë emrin dhe identitetin për t’iu shmangur kufizimeve ndërkombëtare.

Ndërkohë, sipas të njëjtit raportim, administrata e Donald Trump i ka kërkuar komandantit libian Khalifa Haftar të ndalojë furnizimet me pajisje ushtarake nga Irani, por përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat.

Furnizimet iraniane dyshohet se lidhen me synimet e Haftarit për të forcuar kapacitetet ushtarake dhe për të zgjeruar kontrollin në Libinë perëndimore. Një përpjekje e ngjashme gjashtë vite më parë dështoi pas ndërhyrjes së Turqisë.

Megjithatë, raportimet e fundit flasin për një afrim të ri mes Haftarit dhe Ankarasë. Komandanti libian ndodhej të mërkurën në kryeqytetin turk, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të sigurisë.

Goditja e anijes “Alvan” vjen pas raportimeve për sulme ndaj dy mjeteve të tjera ruse dhe një helikopteri në të njëjtën zonë, në kuadër të operacioneve ukrainase pranë brigjeve libiane.