
Një avion i vogël u rrëzua në brigjet e Misisipit, duke shkaktuar vdekjen e të gjashtë personave që ndodheshin në bord, njoftoi të mërkurën Roja Bregdetare amerikane.
Punonjësit e kontrollit të trafikut ajror njoftuan Rojën Bregdetare të martën pasdite, pasi humbën kontaktin me avionin Cessna 210, thuhet në një deklaratë të këtij institucioni. Të mërkurën, zhytësit gjetën trupat e gjashtë personave brenda trupit të avionit, rreth 3.2 kilometra në verilindje të ishullit Horn, në Misisipi.
Zëdhënësi i Rojës Bregdetare, Juan Ros, tha për agjencinë Associated Press se mes viktimave janë edhe dy djem, përkatësisht 8 dhe 10 vjeç. Ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën në ujë tre jelekë shpëtimi, një gomone shpëtimi dhe kabinën e avionit, tha Ros për AP.
“Ky është një përfundim që na thyen zemrën dhe shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet dhe të afërmit që po përballen me një humbje të paimagjinueshme”, tha në një deklaratë komandanti Trevor Blount, koordinatori i Rojës Bregdetare për operacionet e kërkim-shpëtimit në rajonin e Mobile, Alabama.
“Edhe pse ky nuk është rezultati që shpresonim, jemi mirënjohës për koordinimin e shkëlqyer mes institucioneve, i cili bëri të mundur lokalizimin e shpejtë të personave në bord dhe dhënien e një përgjigjeje përfundimtare familjeve të tyre.”
Administrata Federale e Aviacionit dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit po hetojnë shkaqet e rrëzimit të avionit, shkruan WP.