SYRI TV/ Karteli i kazinove dhe pushteti i Olsi Ramës, PLUG investigon kazinonë e 'miqve' të Olsit

22:03, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Emisioni investigativ Plug publikon të dhëna se si Ols Rama, vëllai i kryeministrit, ka shtrirë aktivitetin e tij në lojërat e fatit me licenca kazinoje. Për këtë janë përdorur një zinxhir kompanish dhe prestanome, ku përfituesi fundor i familjes kryeministrore del qartë. Institucionet e vendosura në rresht mbyllën sytë dhe shkelën ligjin me qëllimin e vetëm: dhënien e licencës së kazinosë Olsi Ramës, në emër të njerëzve dhe kompanive të lidhura me të. Procedurat e rregullta për licencimin e kazinosë janë anashkaluar, ndërsa institucionet, deri te Ministria e Financave, kanë qenë në dijeni të shkeljeve.

SYRI TV

Emisioni investigativ Plug publikon të dhëna mbi kazinonë që ndodhet në kullën e stadiumit Air Albania, pas së cilës dyshohet se fshihen interesat e vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama.

Në verën e këtij viti, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputeti Belind Këlliçi publikuan dokumente, të cilat lidhnin interesat e Olsi Ramës me kazinonë, e cila dyshohet se është licencuar nga institucionet shtetërore në mungesë të dokumentacionit dhe në shkelje të ligjit. Sipas të dhënave zyrtare, për licencimin e një kazinoje kërkohet një kapital prej 12 milionë eurosh.

Shoqëria SPACE+, themelohet në qershor të vitit 2021 me aksioner 99% shoqërinë ALB-STAR dhe 1% W-CZ Holding s.r.o. Kjo e fundit është një kompani e regjistruar në Republikën Çeke. SPACE+ mban licencën për të operuar si kazino në një hotel me 5 yje. Sipas detyrimeve ligjore, kompania e cila aplikon për marrjen e një licence duhet të ketë një kapital minimalisht 1.200.000.000 lekë. Për këtë, aksioneri ALB-STAR ka përdorur një pronë në qarkun e Fierit. Në vitin 2025, ALB-STAR largohet si aksioner dhe ia shet aksionet kompanisë GLG Investment.

Sipas ligjit, edhe kjo shoqëri, pra aksioneri i ri, duhet që kjo shoqëri të ketë kapitalin prej 1.2 miliardë lekësh, por mbi të gjitha duhet të deklarojë burimin e të ardhurave, jo vetëm të kapitalit prej 12 milionë eurosh, por edhe të shumave të tjera që do të duhet të investohen.

Gjithashtu, është detyrim ligjor që të depozitohet dokumentacioni i plotë për pronarin përfitues, pasi duhet të identifikohen dhe lidhjet e tyre me shoqëritë e tjera tregtare. Në përgjigje të kësaj kërkese, AMLF informon se për të plotësuar kriterin e kapitalit prej 12 milionë eurosh, shoqëria e re aksionere GLG Investment ka blerë një tokë:

Subjekti aplikues SPACE+ sh.a., në dokumentacionin e dorëzuar pranë AMLF, ka paraqitur edhe deklaratën e burimit të kapitalit nga shoqëria GLG Investment sh.p.k., e cila ka bashkëngjitur kontratën e shitblerjes së pasurisë së paluajtshme dhe mandatin e shlyerjes së këstit të parë, si dhe kontratën e huasë të lidhur me Infinity Investments sh.a., me shtojcën përkatëse. Pra, sipas AMLF, GLG Investment ka blerë një tokë, ka paguar vetëm këstin e parë dhe si burim të ardhurash për këtë këst ka deklaratën e borxhit me kompaninë Infinity Investment. Kjo kompani është palë e lidhur me shtetasin Bledar Sinani dhe shoqëritë Adria Entertainment dhe aksionerin 1% Ë-CZ Holdings s.r.o. Kompania GLG Investment jo vetëm që nuk ka të ardhura si kapital, por edhe tokën që deklaron se e ka të blerë, për pagesën e këstit të parë merr para borxh për ta paguar. Madje, dhënësi i huasë jep pëlqimin që toka të përdoret si kapital për blerjen e aksioneve të shoqërisë SPACE+.

Kompania gjithashtu nuk deklaron as pronarët përfitues, të cilët, sipas ligjit, janë të detyruar të deklarohen në rastin e kompanive të lojërave të fatit. Të gjitha veprimet janë kryer në shkelje ligjore dhe me miratimin e AMLF-së. Duket qartë se GLG Investment, një kompani e krijuar enkas për të blerë aksionet e kazinosë në Air Albania, e cila ka zero aktivitet dhe zero të ardhura, blen një pronë në vlerën 320.000 euro me këste dhe për këstin e parë prej 20.000 eurosh detyrohet të marrë borxh te kompanitë e lidhura me Bledar Sinanin dhe Adria Entertainment.

Vetëm kjo do të mjaftonte që miratimi për shitjen e aksioneve të mos jepej, pasi është në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi.

Ndërkohë, vetëm pak ditë pas blerjes së tokës për 320 mijë euro, ajo rivlerësohet në vlerën 26 milionë euro. Për këtë anomali, Ministria e Financave shkarkoi përgjegjësitë nga vetja, duke u shprehur se ishte thjesht institucioni që hartonte kuadrin rregullator, duke ia lënë topin AMLF-së. Kompania GLG Investment është themeluar nga shtetasi Gerti Lumani, ndërsa më 2 maj 2024, ia shet aksionet Lake Horizont LLC, e regjistruar në offshore. Aksioneri i vetëm që zotëron 100% të subjektit LAKE HORIZONT LLC është shtetasi venezuelian Joselises Maradey Marquez, i datëlindjes 23.07.1987. Sipas faqes zyrtare, rezulton se Joselies Marquez cilësohet si “ORGANIZER”, por jo si aksioneri i kësaj kompanie. Megjithatë, mbetet dyshimi se edhe mund të jetë pronari “PRESTA NOME”. Kompania, pas regjistrimit, është shpërbërë, por në shtator është revokuar ky akt, duke e rikthyer aktive si subjekt. Pra, kjo është periudha e mbledhjes së dokumentacionit nga AMLF për dhënien e miratimit, kur një nga kushtet ishte edhe identifikimi i aksionerëve deri te pronari fundor përfitues.

Për t'u thelluar më tej, mblodhëm të dhëna për shtetasin Gerti Shkëlqim Lumani, i datëlindjes 24.08.1982, i lindur në Maliq/Korçë. Gerti Lumani dhe familja e tij kanë jetuar prej vitesh në SHBA. Ajo që rezulton nga gjendja civile këtu është se ka qenë i martuar me shtetasen Eva Lumani, Kokonozi. Ndërkohë, ky shtetas jeton në Troy, Michigan.

Kërkuam më shumë të dhëna për Gerti Lumanin dhe babain e tij, Shkëlqim Lumanin, dhe ky i fundit, nga një dokument zyrtar, rezultoi si palë e lidhur me shtetasin Gert Haka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco