Rusia po punon për ndërtimin e një rrjeti gjigant satelitor që mund të ndryshojë jo vetëm rrjedhën e luftës në Ukrainë, por edhe arkitekturën e sigurisë në Evropë.
Bëhet fjalë për projektin “Rassvet”, përgjigjen ruse ndaj sistemit Starlink të miliarderit amerikan Elon Musk, përmes të cilit Moska synon të krijojë një rrjet të pavarur komunikimi satelitor me mbulim global.
Në një intervistë për gazetën britanike “The Times”, zëvendësdrejtori i inteligjencës ushtarake ukrainase, gjeneralmajori Vadym Skibitskyi, ka paralajmëruar se sistemi mund t’i mundësojë Rusisë kontrollin në distancë të dronëve, potencialisht edhe mbi Londër.
Moska synon të vendosë 924 satelitë në orbitë deri në vitin 2035. Aktualisht, Rusia ka rreth 30 satelitë të këtij sistemi në hapësirë, ndërsa projekti po përballet me vështirësi teknologjike dhe vonesa.
Sipas inteligjencës ukrainase, ushtria ruse ka nisur tashmë ta përdorë sistemin për komunikime ushtarake në territorin e Ukrainës, megjithëse mbulimi mbetet i kufizuar.
Zhvillimi i një rrjeti të pavarur satelitor do t’i mundësonte Moskës të reduktonte varësinë nga teknologjia e huaj dhe të siguronte komunikime ushtarake më rezistente ndaj ndërhyrjeve elektronike.
Rusia kishte përdorur më parë terminale Starlink të siguruara në tregun informal, por kufizimi i aksesit të forcave ruse në këtë sistem gjatë këtij viti i dha një avantazh të rëndësishëm ushtrisë ukrainase.
Kievi po përpiqet të pengojë zhvillimin e projektit rus përmes sanksioneve dhe presionit ndërkombëtar. Inteligjenca ukrainase ka identifikuar 49 kompani ruse dhe bjelloruse të përfshira në realizimin e tij.
Paralelisht, Ukraina po punon për ndërtimin e rrjetit të saj të pavarur satelitor, të quajtur “Obria”, në bashkëpunim me kompani evropiane. Sateliti i parë eksperimental u lëshua në tetor, por realizimi i plotë i projektit mund të kërkojë disa vite dhe qindra milionë euro.
Përplasja teknologjike mes Moskës dhe Kievit po e zhvendos kështu rivalitetin ushtarak edhe në hapësirë, ndërsa shqetësimet për sulme kundër satelitëve po shtohen.
Kontrolli i komunikimeve nga orbita po shndërrohet në një element strategjik të luftës moderne, me pasoja që mund të shtrihen shumë përtej kufijve të Ukrainës
