Kuvendi mblidhet këtë të enjte (26 nëntor), në seancë plenare, ku në rend dite do të jetë shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin 2027 dhe një sërë projektligjesh me rëndësi ekonomike dhe financiare.

Seanca plenare do të nisë në orën 10:00, ndërsa përpara shqyrtimit të projektbuxhetit, deputetët do të diskutojnë paketën fiskale, e cila përfshin ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.


Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës është projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”, i cili pritet të jetë në fokus të diskutimeve parlamentare.

Në seancën e së enjtes do të shqyrtohen gjithashtu projektligji për tregjet e kriptoaseteve, ai për donacionet dhe sponsorizimet, si dhe projektligji për kontabilitetin në sektorin publik.

Në rend dite janë përfshirë edhe ndryshimet në ligjin për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, projektligji për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare dhe nisma për ngritjen e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu dy akte normative të datës 28 tetor 2026, që lidhen me ligjin për tubimet dhe shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve.

Pjesë e rendit të ditës janë edhe ndryshimet në memorandumin e mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, si dhe një projektvendim për përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. /rtsh.al/