SHBA miraton shitjen e pjesëve rezervë me vlerë mbi 600 milionë dollarë për F-16 e Ukrainës, katër vende europiane financojnë marrëveshjen

26/11/2026 08:14

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e pjesëve rezervë dhe pajisjeve të nevojshme për mirëmbajtjen e avionëve luftarakë F-16 që përdoren nga Forcat Ajrore të Ukrainës.

Marrëveshja kap vlerën e më shumë se 600 milionë dollarëve, ndërsa financimi do të sigurohet tërësisht nga disa vende europiane.

Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili sqaroi se Ukraina do të përdorë fondet e Belgjikës, Danimarkës, Holandës dhe Norvegjisë për të realizuar blerjen. Sipas autoriteteve amerikane, në këtë transaksion nuk do të përdoren fonde nga buxheti i SHBA-së.

Qeveria ukrainase ka paraqitur kërkesën për blerjen e një pakete pajisjesh dhe pjesësh rezervë, të cilat do të shërbejnë për mirëmbajtjen dhe mbajtjen në gatishmëri të avionëve F-16, të cilët janë bërë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes ajrore të vendit kundër sulmeve ruse.

Nevoja për këto pajisje vjen në një kohë kur janë raportuar vështirësi në mirëmbajtjen e avionëve amerikanë. Në fillim të tetorit, gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se shumica e F-16 të Ukrainës ndodheshin jashtë shërbimit, në pritje të inspektimeve dhe riparimeve nga teknikët.

Kievi e hodhi poshtë këtë raport, duke deklaruar se avionët vazhdonin të përdoreshin intensivisht në operacionet ushtarake. Megjithatë, një zëdhënës i autoriteteve ukrainase pranoi se mirëmbajtja e tyre përbën një sfidë të konsiderueshme.

Sipas tij, bëhet fjalë për modele më të vjetra avionësh, për të cilat disa pjesë këmbimi nuk prodhohen më, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë sigurimin e tyre.

Ukraina ka marrë një numër të kufizuar avionësh F-16 nga aleatët perëndimorë, duke nisur nga viti 2024, dhe sipas njoftimeve zyrtare ka humbur të paktën katër prej tyre gjatë luftës. Vështirësi janë raportuar gjithashtu në procesin e trajnimit të pilotëve që do t’i përdorin këta avionë.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump, megjithëse ka reduktuar ndjeshëm ndihmën ushtarake të drejtpërdrejtë për Ukrainën, kishte miratuar edhe në maj të vitit 2025 një shitje të ngjashme pajisjesh për mirëmbajtjen e flotës së F-16 ukrainas.

Marrëveshja e re synon të ndihmojë Kievin të ruajë funksionalitetin e avionëve luftarakë, në një kohë kur mbrojtja ajrore mbetet një nga sfidat kryesore të Ukrainës në luftën me Rusinë.

Top Channel