Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi voton sot Buxhetin 2027 dhe paketën fiskale, në rend dite edhe aktet për tubimet



Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, ku deputetët pritet të votojnë Projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale. Në rendin e ditës janë përfshirë gjithsej 11 pika, mes tyre edhe dy akte normative që lidhen me tubimet dhe dëmshpërblimin për subjektet e prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave.

Përveç projektbuxhetit, deputetët do të shqyrtojnë ndryshimet në pesë ligje që lidhen me sistemin tatimor: tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.

Një tjetër çështje në rendin e ditës janë dy aktet normative të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026. Akti normativ nr. 5 parashikon ndryshime në ligjin “Për tubimet”, ndërsa akti normativ nr. 6 lidhet me shpërblimin e dëmit civil ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave.

Shqyrtimi i tyre në Kuvend zhvillohet dy ditë përpara protestës mbarëkombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor. Ndërkohë, protestat e përditshme kundër qeverisë në Tiranë kanë hyrë në ditën e 179-të.

Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektligji për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 në Memorandumin e Mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual.

Rendi i ditës së seancës plenare:

  1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18 nëntor 2026.
  2. Njoftime.
  3. Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.
  4. Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.
  5. Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
  6. Projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare”.
  7. Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”.
  8. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
  9. Projektligji për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 në Memorandumin e Mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual.
  10. Akti normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tubimet”.
  11. Akti normativ nr. 6, datë 28 tetor 2026, për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave.