Takimi u zhvillua pasi lideri republikan javën e kaluar, gjatë vizitës në Azi, ishte takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe liderin kinez, Xi Jinping, të cilëve u ishte referuar si “miqtë” e tij.

“Në takimin tonë diskutuam gjithashtu rëndësinë që Rusia të shmangë çdo veprim që, qëllimisht ose pa qëllim, mund ta zgjerojë luftën, si dhe rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje paqësore të luftës sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Trumpit dhe Ruttes.

Takimi i Trumpit me Putinin kishte nxitur reagime nga kundërshtarët e tij demokratë në SHBA dhe aleatët evropianë, të cilët kanë kërkuar të përfshihen në bisedimet e mbështetura nga Uashingtoni për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, Rutte, i cili vazhdimisht është përpjekur të ulë tensionet brenda NATO-s dhe të ruajë mbështetjen e Trumpit për aleancën, ka deklaruar se takimet mes fuqive të mëdha bërthamore janë normale.

Sipas deklaratës, Trump dhe Rutte kanë diskutuar gjithashtu për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe investimeve në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet anëtare të NATO-s.

Lufta në Ukrainë dhe lufta SHBA-Izrael kundër Iranit kanë qenë temat kryesore të bisedimeve, por në deklaratë nuk janë dhënë detaje se çfarë është diskutuar konkretisht për Iranin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është kritikuar vazhdimisht nga Trump, ka deklaruar se Evropa duhet të jetë pjesë e bisedimeve për paqe.

Trump, në anën tjetër, ka kritikuar shpesh aleatët perëndimorë dhe demokratikë të Uashingtonit për çështje të ndryshme, përfshirë shpenzimet e NATO-s, tarifat tregtare dhe atë që ai e konsideron si mbështetje të pamjaftueshme të tyre për luftën kundër Iranit.