Kushtet e përkeqësuara atmosferike kanë sjellë kufizime në lundrimin detar në Vlorë. Për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të larta, janë anuluar udhëtimet e trageteve të transportit të pasagjerëve dhe automjeteve në linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë.
Sipas njoftimit të autoriteteve detare, era nga drejtimi jug-juglindje pritet të arrijë shpejtësinë 15-20 metra në sekondë, me forcë 6-7 ballë, ndërsa dallgët parashikohet të arrijnë deri në 2.5 metra. Për shkak të këtyre kushteve, është ndaluar gjithashtu dhënia e lejeve të nisjes për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë në det të hapur. Kufizimi do të jetë në fuqi deri në orën 20:00 të datës 26 nëntor.
Ndërkohë, anijet që transportojnë mallra dhe hidrokarbure do të vijojnë aktivitetin normalisht. Përmirësimi i kushteve të motit për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit pritet pas orës 22:00 të së enjtes.
Në Durrës, ndërkaq, flota e peshkimit vijon të qëndrojë e ankoruar në port për shkak të detit të trazuar dhe erërave të forta, të cilat kanë penguar daljen në det të peshkarexhave
