
Sali Berisha ka drejtuar akuza të forta ndaj Taulant Ballës nga foltorja e Kuvendit, duke e cilësuar atë si kriminel dhe porositës vrasjesh.
Pas deklaratave të Berishës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i tërhoqi vëmendjen për përdorimin e etiketimeve fyese, duke i kujtuar se po shkelte rregulloren parlamentare. Më pas, pasi përfundoi koha e caktuar për fjalën e tij, Peleshi i ndërpreu mikrofonin.
Berisha nuk pranoi të largohej nga foltorja dhe vijoi të fliste edhe pa mikrofon, ndërsa Peleshi i kërkonte vazhdimisht të lironte foltoren.
Pjesë nga debati:
Sali Berisha: Pas parlamentit të vitit 1945, ky është parlamenti më kriminal që ka ekzistuar në Shqipëri. Nëse në vitin 1945 zunë vend në këtë sallë vrasës serialë dhe autorë të luftës civile, sot në këtë sallë janë kriminelë ordinerë, trafikantë dhe porositës vrasjesh. Njëri prej më kryesorëve është Taulant apo Begojaris, me disa mbiemra.
Dokumentet shtetërore për këtë kriminel, që porosit vrasje në shkurt të vitit 2017, tregojnë se një gjykatëse faqezeze dhe një prokuror faqezi zhdukën regjistrimet, ku, sipas Berishës, faktohej se Taulant Balla kishte porositur vrasje dhe ishte përfshirë në masakrën e Elbasanit. Ai pretendoi gjithashtu se Balla kishte vijuar më pas me porosi të tjera për vrasje.
Çoje kokën që të të shohin shqiptarët! Çoje kokën lart, por nuk e çon dot, sepse ke fytyrë krimineli. E ke vendin në qeli, jo në Parlament!
Niko Peleshi: Ju tërheq vëmendjen për etiketimet. Përfundoi koha, zoti Berisha. Kriminelët nuk i përcaktoni ju, nuk jeni prokuror dhe as gjyqtar. Lironi foltoren.
