“T’ia hash atë që s’thuhet partisë sonë…”, Korreshi shpërthen në Kuvend: O Pelesh dëgjon nga veshi i majtë? S’i ka hije Ballës…

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar me tone të ashpra në Kuvend, duke akuzuar drejtuesin e seancës Niko Peleshi se nuk po merr masa ndaj gjuhës fyese që sipas tij përdoret nga deputetët e mazhorancës.
Korreshi iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke e pyetur nëse dëgjonte nga veshi i majtë, pasi pretendoi se Taulant Balla kishte përdorur fyerje ndaj opozitës, ndërsa drejtuesi i seancës nuk kishte reaguar.
“Do të bëj një pyetje të sinqertë. Dëgjoni nga veshi i majtë? Nga ana e majtë dëgjoni? Ta them këtë sepse, nëse do të lejojmë sharjet dhe fyerjet këtu, do të kthehemi te berberhanet dhe brisku. U bë disa herë që shahet dhe fyhet nga ana e majtë. Nuk ju ka hije të shajë kreu i grupit të PS-së dhe ju bëni sikur nuk dëgjoni.
E kemi edhe ne briskun me vete. Tha “t’ja hash atë që s’thuhet partisë sonë’. Çfarë t’i hash partisë suaj…”, tha Korreshi.
Më tej, deputeti demokrat kundërshtoi projektligjin për tubimet, duke e cilësuar atë si një akt që rrezikon liritë themelore dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Ai akuzoi mazhorancën se përmes këtij akti synon të legjitimojë, sipas tij, dhunën policore ndaj protestuesve, përfshirë përdorimin e shkopinjve të gomës dhe gazit lotsjellës.
“Mbi projektligjin për tubimet, nuk mund të lejoni që, me atë akt çnjerëzor, të kthehet diktatura. Nuk mund të legalizoni shkopinjtë e gomës, dajakun e dhënë nga mëngjesi në darkë ndaj protestuesve, gazin lotsjellës që nuk i dihet origjina dhe skadenca, si dhe pushkët që u keni drejtuar protestuesve.Akti normativ nuk mund të shkojë kundër lirive themelore të njeriut”, tha deputeti i PD.




