Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, është dënuar me 1 vit burgim, pasi është gjetur fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje. Gjykata ka vendosur që dënimi me burg të konvertohet në 100 orë punë në interes publik.
SPAK kishte paraqitur pretencën më 12 nëntor, duke kërkuar shpalljen fajtor të Shkrelit dhe dënimin e tij me 1 vit burgim. Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar gjithashtu që atij t’i hiqej e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Sipas hetimeve të SPAK, ngjarja lidhet me fushatën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Shkreli akuzohet se u kishte premtuar banorëve të fshatit Stajkë, në Bashkinë e Vaut të Dejës, ndërtimin e një linje elektrike në këmbim të votës për Partinë Socialdemokrate.
