Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka mbajtur fjalimin e tij të fundit në Shkup në këtë detyrë, gjatë pritjes solemne të organizuar me rastin e 28 Nëntorit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në një fjalim të mbushur me emocione dhe mesazhe për historinë, identitetin dhe bashkimin kombëtar, Meidani bëri të ditur se mandati i tij diplomatik po përfundon, ndërsa ndau me të pranishmit reflektimet për përvojën e tij në Maqedoninë e Veriut. Ai e nisi fjalën duke rikujtuar shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, dhe sakrificën e 40 burrave që vunë themelet e shtetit shqiptar në rrethana të vështira historike.
“Njëqind e katërmbëdhjetë vjet më parë, në Vlorë, dyzet burra nga të gjitha trojet shqiptare vunë emrin poshtë një dokumenti prej pak rreshtash. Shqipëria, shkruan ata, do të ishte ‘e lirë dhe e mosvarme’”, u shpreh ambasadori.
Meidani theksoi se Shqipëria nuk mund të përkufizohet vetëm përmes kufijve gjeografikë, por përfaqëson historinë, kulturën, gjuhën dhe kontributin e shqiptarëve kudo në botë. Në fjalimin e tij ai përmendi figura si Skënderbeu, Nënë Tereza, Çajupi, Faik Konica, Ismail Kadare, Vaçe Zela, Ferid Murati, Dua Lipa dhe Mira Murati, duke i cilësuar si pjesë të identitetit dhe përfaqësimit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia kushtoi marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ato duhet të ndërtohen mbi barazinë, bashkëpunimin dhe perspektivën e përbashkët evropiane.
“Shqipëria e do Maqedoninë e Veriut të fortë, të begatë dhe pranë saj në tryezën e Evropës. Suksesi i njërit është edhe suksesi i tjetrit. Fqinjësia jonë është një derë që rri hapur. Miqësia jonë është buka që ndajmë kur hyjmë brenda”, deklaroi Meidani.
Pjesa më emocionale e fjalimit iu drejtua shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe mërgatës. Meidani tregoi se, kur kishte mbërritur në Shkup, mendonte se do t’u sillte Shqipërinë bashkatdhetarëve, por gjatë qëndrimit kishte kuptuar se identitetin shqiptar e kishte gjetur të gjallë pikërisht mes tyre.
“Erdha me një listë takimesh. Po iki me një listë miqsh. Urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika. Këto ura i ndërtuat ju. Unë pata nderin t’i kaloj bashkë me ju”, u shpreh ambasadori, ndërsa falënderoi institucionet e Maqedonisë së Veriut, kolegët diplomatë dhe bashkëpunëtorët. Kur erdha në Shkup, mendoja se po ju sillja Shqipërinë. Në fakt, Shqipërinë e gjeta këtu. E gjeta te fëmijët që ma dhuruan flamurin në vizatimet e tyre. E gjeta në rrugët tuaja, të veshura kuq e zi në çdo festë tonën. E gjeta te mësuesja që e nis çdo mëngjes orën e mësimit në shqip”, deklaroi ai.
Në fund, ambasadori u bëri thirrje shqiptarëve që të ruajnë gjuhën, flamurin dhe unitetin kombëtar, duke theksuar përgjegjësinë e brezave të rinj për të çuar përpara trashëgiminë e të parëve.
“Detyrat ndërrohen. Miqtë mbeten. E flamuri kuqezi na mbledh sërish, kudo që të jemi”, përfundoi Meidani, duke uruar Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë.
“Rroftë miqësia mes popujve tanë! Rrofshin shqiptarët, kudo që janë! Shqipërisë iu rrittë ndera!”, ishin fjalët përmbyllëse të fjalimit të tij.
© SYRI.net
Berisha: Ju nuk mund të kufizoni të drejtën e protestës, keni sjellë në kuvend propozime antidemokratike
'O Pelesh, dëgjon nga veshi i majtë?' Korreshi: Akti normativ për tubimet kthen diktaturën
Bylykbashi: Të shtyhet afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore që të mbarojmë rekomandimet OSBE - ODIHR