Nga Boldnews.al
Një numër i lartë informacionesh, publike, por edhe në zyrat e strukturave ligjzbatuese, e vizatojnë pikën kufitare të Hanit të Hotit në Shkodër, si një ndër nyjet kryesore të aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës dhe trafiqeve të tjera të paligjshme, përfshirë edhe ato të qënieve njerëzore.
Në qendër të dyshimeve qëndrojnë punonjësit dhe drejtuesit e Policisë Kufitare të qytetit verior. Krahas “mefshtësisë” së strukturave në terren, një neglizhencë e tepruar konstatohet edhe nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore për Rajonin Lezhë-Shkodër, e cila ka detyrimin për të verifikuar veprimtarinë e uniformave blu edhe në pikën kufitare të Hanit të Hotit.

“Boldnews.al” kreu verifikim mbi të dhënat e hapura të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore (AMP) për rajonin e Shkodrës, nga ku u konstatua se goditjet e kësaj strukture për raste paligjshmërie janë shumë sporadike dhe për çështje, kryesisht për mitmarrje në trafikun rrugor, të cilat jan tërësisht irrelevante krahasuar me atë që dyshohet se po ndodh në pikën kufitare.
Burime lokale, të kontaktuara nga “Boldnews.al”, ngenë dyshime se një situatë mefshtësie e tillë mund të lidhet edhe me faktin që drejtuesi i AMP-së për rajonin Shkodër-Lezhë, Ilir Sula, ka një miqësi të hershme me Drejtorin e Kufirit të Shkodrës, Agim Basha.
Të dy zyrtarët e rëndësishëm të Policisë kanë qenë kolegë që në periudhën studentore, ku studionin në Akademinë Ushtarake. Pasi kaluan në radhët e uniformave blu, Ilir Sula dhe Agim Basha ritakohen sërish në zonën e Shkodrës.
Sula, si drejtues i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, i cili ka për detyrë që të verifikojë dhe kontrollojë aktivitetin dhe paligjshmërinë e strukturave të drejtuara nga miku i tij, Agim Basha, si drejtor i kufirit.
Të njëjtat burime përforcojnë dyshimet e tyre për një raport “miqësor” dhe “konflikti interesi” mes të dyve, nëpërmjet një situatë që ka ndodhur vetëm pak javë më parë.
Komandanti i postës policore të Hanit të Hotit është larguar rreth dy javë më parë nga ajo detyrë. Ajo që thuhet me siguri është se lëvizja e këtij zyrtari nuk ka ardhur nga informacionet e AMP-së së rajonit Shkodër-Lezhë, e cila duket se ka qenë tërësisht inekzistente në këtë rast.
Ndërkohë që u mbetet strukturave përgjegjëse të verifikojnë nëse kjo situatë është thjesht “neglizhencë” e AMP-së lokale apo ka arsye të tjera, ajo që informacione të shumta sugjerojnë është që pika kufitare e Hanit të Hotit dhe sidomos pjesa e “kufirit të gjelbër” është shndërruar në një “parajsë” kontrabande.













