
Policia e Shkodrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për Vinçens Pirolin, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshaj, ngjarje e ndodhur më 4 gusht 2025 në Vaun e Dejës.
Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi Piroli u lirua nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit, e cila ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij, duke e kaluar në arrest shtëpie. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, Piroli mund të ketë lidhje me ekzekutimin e Frrok Lleshajt. Ky i fundit u vra në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, ndërsa po lëvizte pranë banesës së tij.
Vrasja e 65-vjeçarit ndodhi mbrëmjen e 4 gushtit 2025 dhe autorët ende nuk janë identifikuar publikisht. Ndërkohë, emri i Vinçens Pirolit është përmendur edhe në një tjetër dosje kriminale. Ai u arrestua në tetor 2026, së bashku me dy persona të tjerë, në kuadër të operacionit policor “Detajet”, pasi dyshohej se po përgatitej një atentat në zonën e Lezhës. Më 19 nëntor, Apeli ndryshoi masën e sigurisë për të, duke e kaluar në arrest shtëpie.
Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Frrok Lleshajt vijojnë, ndërsa pritet të mësohen detaje të tjera mbi dyshimet që kanë çuar policinë drejt nxjerrjes së urdhrit të ndalimit për Pirolin.




