
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka kritikuar në Kuvend drejtimin e seancës nga kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, duke e akuzuar për standarde të dyfishta në trajtimin e fjalorit të përdorur nga deputetët.
Korreshi ironizoi Peleshin, duke e pyetur nëse dëgjonte nga veshi i majtë, pasi, sipas tij, kryetari i Kuvendit nuk kishte reaguar ndaj fjalëve fyese që pretendon se kishte përdorur kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
“Do të bëj një pyetje të sinqertë. Dëgjoni nga veshi i majtë? Nga ana e majtë dëgjoni? Ta them këtë sepse, nëse do të lejojmë sharjet dhe fyerjet këtu, do të kthehemi te berberhanet dhe briskut. U bë disa herë që shahet dhe fyhet nga ana e majtë. Nuk ju ka hije të shajë kreu i grupit të PS-së dhe ju bëni sikur nuk dëgjoni. E kemi edhe ne briskun me vete. Tha të na hash atë që s’thuhet partisë sonë. Çfarë t’i hash partisë suaj…”, u shpreh Korreshi.
Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat kundërshtoi edhe aktin normativ për tubimet, duke pretenduar se ndryshimet rrezikojnë liritë themelore të qytetarëve dhe mund të rikthejnë praktika të diktaturës.
Ai akuzoi mazhorancën se po synon të legjitimojë përdorimin e forcës ndaj protestuesve, duke përmendur shkopinjtë e gomës, gazin lotsjellës dhe armët e drejtuara ndaj tyre.
“Mbi projektligjin për tubimet, nuk mund të lejoni që, me atë akt çnjerëzor, të kthehet diktatura. Nuk mund të legalizoni shkopinjtë e gomës, dajakun e dhënë nga mëngjesi në darkë ndaj protestuesve, gazin lotsjellës që nuk i dihet origjina dhe skadenca, si dhe pushkët që u keni drejtuar protestuesve. Akti normativ nuk mund të shkojë kundër lirive themelore të njeriut”, tha ai.