SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme 10 persona, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte mes Shqipërisë dhe Italisë, me aktivitet në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe vepra të tjera të rënda penale, përfshirë vrasjet me dashje.
Hetimi është kryer nga një skuadër e përbashkët hetimore e SPAK-ut dhe Prokurorisë së Posaçme Antimafia (DDA) në Bari, me mbështetjen e Eurojust. Sipas dosjes hetimore, në qendër të aktivitetit kriminal ishte Igli Kamberi, i cili menaxhonte trafikun e narkotikëve në Itali dhe vendoste për destinacionin e parave të përfituara nga shitja e drogës.
Një rol kyç në furnizimin dhe koordinimin e grupit dyshohet se kishte Ergys Kastrati, i njohur si “Bishja”, i cili shërbente si ndërlidhës mes anëtarëve dhe jepte porositë për tërheqjen e parave në Itali.
Në mekanizmin e pastrimit të parave ishte përfshirë edhe bashkëshortja e Igli Kamberit, Nevila Kamberi. Sipas SPAK-ut, ajo administronte arkën e grupit dhe vendoste për shumat që do të transferoheshin drejt Shqipërisë, personat që do të kryenin transportin dhe destinacionin e parave.
Paratë transportoheshin të fshehura në automjete dhe mes veshjeve të përdorura
Sipas hetimeve, të ardhurat nga shitja e drogës në Italinë e Jugut dhe zona të tjera të vendit transferoheshin drejt Shqipërisë përmes një mekanizmi të organizuar, që synonte shmangien e kontrolleve policore dhe gjurmimit të parave.
Për këtë qëllim, grupi përdorte kryesisht shoferë të transportit ndërkombëtar dhe korrierë, të cilët kalonin shumat monetare përmes rrugëve informale. Paratë fshiheshin në automjete ose mes sendeve të zakonshme, përfshirë veshje të përdorura. Transportuesit paguheshin me një përqindje të shumës që arrinin të sillnin në Shqipëri.
Një nga rastet e dokumentuara nga SPAK është ai i 14 nëntorit 2024, kur në Pikën e Kalimit Kufitar të Murriqanit, në Shkodër, u sekuestruan 680.595 euro. Paratë ishin fshehur në një hapësirë të përshtatur posaçërisht në një automjet tip “Mercedes-Benz”, me targa AB216RE, që drejtohej nga Lefter Nelaj.
Detyrat e anëtarëve të grupit
Sipas dosjes hetimore, Edi Brahaj koordinonte zbatimin e porosive dhe kontrollonte transportuesit, duke u dhënë udhëzime për itinerarin, fotografimin, paketimin dhe mënyrën e fshehjes së parave.
Bardhok Gjergji përcillte porositë për marrjen e shumave monetare, ndërsa Lefter Nelaj ishte një prej transportuesve. Ky i fundit ndiqte udhëzimet e koordinatorëve dhe dërgonte fotografi të parave të marra, si dhe informacione për grumbullimin dhe transferimin e tyre.
Dituri Buzi, sipas SPAK-ut, bashkëpunonte me vajzën e saj, Nevila Kamberi, dhe Saimir Pirrën për transferimin e parave nga Italia në Shqipëri. Hetuesit dyshojnë se ajo ishte në dijeni të origjinës kriminale të shumave dhe merrte pjesë në mekanizmin e ruajtjes dhe transportimit të tyre.
Saimir Pirra dyshohet se ka transportuar fizikisht para në dy episode të dokumentuara, në koordinim me anëtarët e tjerë të grupit. Ndërsa Sokol Fusha ishte një tjetër hallkë e zinxhirit të transportimit, duke kaluar shuma monetare të fshehura nga Italia drejt Shqipërisë.
Idajete Kurti, e cila kishte lidhje familjare me Igli Kamberin, dyshohet se shërbente si person i besuar për marrjen dhe ruajtjen e përkohshme të parave në banesën e saj, me qëllim shmangien e sekuestrimit nga autoritetet.
SPAK ka kërkuar gjykimin e Igli Kamberit, Ergys Kastratit, alias “Bishja”, Nevila Kamberit, Idajete Kurtit, Bardhok Gjergjit, Lefter Nelajt, Edi Brahajt, Dituri Buzit, Saimir Pirrës dhe Sokol Fushës.
Ata akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga ky grup.
Hetimet për aktivitetin e këtij rrjeti kriminal vijojnë në Shqipëri dhe Itali, me synimin për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtarinë e tij.a.b




