Me skemë të vendosur në foltore, Tahiri kundërshton shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Shërbimit Civil

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri ka kundërshtuar rekomandimin për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, duke e cilësuar procedurën dhe arsyetimin për këtë vendim si të paqëndrueshëm.
Gjatë diskutimit në Kuvendin e Kosovës, Tahiri ka tërhequr vëmendjen edhe me një skemë të shkruar në një letër, të cilën e kishte vendosur në foltoren e Kuvendit për të ilustruar rolin dhe strukturën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
Ai ka thënë se ky institucion ka rëndësi të veçantë për dhjetëra mijëra punonjës të administratës publike.
“Ky këshill është gjykata e 82 mijë të punësuarve në shërbimin civil”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka ngritur dy kundërshtime kryesore lidhur me rekomandimin për shkarkim.
Së pari, sipas tij, është shkelur procedura, pasi anëtarët janë ftuar në komision për raportim dhe jo për t'u përballur me një proces shkarkimi.
“Kur një palë thirret në komision, secila palë e ka të drejtën legjitime me ditë se për çka po thirret. Nuk ka pasur pikë të rendit të ditës për shkarkim, palët janë thirrur në komision për raportim”, ka thënë ai.
Tahiri ka theksuar se elementi i dytë ka të bëjë me mungesën e argumentimit të mjaftueshëm për shkarkimin e tyre.
“Argumentimi është i dobët. Ky rekomandim i këtij shkarkimi qëndron në këmbë të paqëndrueshme”, ka deklaruar deputeti i AAK-së.
Në fund, ai u ka bërë thirrje deputetëve që të mos e mbështesin rekomandimin për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit. /Telegrafi/


































