“Balla ka apartament 500 m2”, socialisti i përgjigjet akuzave të Shehajt: Shtëpinë e kam blerë me kredi, duhet të punoj deri në 2044 që ta shlyej

Rreth një javë më parë, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj publikoi një video nga tarraca e shtëpisë së tij në Tiranë dhe sfidoi publikisht kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla që të bëjë transparencë pasurinë e tij dhe të shpjegojë burimin e parave me të cilat ka siguruar shtëpinë ku jeton.
“Diferenca midis meje dhe Taulant Ballës është që unë mund të justifikoj çdo qindarkë të parave që kam përdorur për të blerë këtë pronë, kurse Taulant Balla nuk e bën dot, sepse i mban fshehur. E sfidoj të bëjë të njëjtën gjë që po bëj unë. Të bëjë një video dhe t’u shpjegojë shqiptarëve ku jeton dhe ku i ka gjetur paratë”, deklaroi Shehaj.
Ditën e sotme, kreu i Grupit të PS i është përgjigjur akuzave të Shehajt gjatë seancës plenare. Balla tha se shtëpinë ku banon e ka blerë me kredi dhe i duhet të punbojë deri në vitin 2044 për ta shlyer. Ai tha se nëse Shehaj vërteton akuzat, atëherë ai do të lërë menjëhrë mandatin e deputetit.
Balla: Ke dalë para pak ditësh në ballkonin e vilës tënde dhe ke thënë që ‘Taulant Balla ka një apartament 500 metër katror. Të ftoj të vish në këtë foltore, nëse rezulton se ajo ëshët e vërtetë unë jap dorëheqjen nga mandati si deputet sot. 500 metra nuk e kam, po ta kem iki dhe nuk vij më në këtë sallë. Nuk jam masakra si puna jote. Unë të sfidoj. Për ta ditur shqiptarët. Unë jam subjekt deklarimi pasurie që nga vitit 2003. Do më duhet për atë apartament ku jetoj bashkë me familjen time, do më duhet të punoj deri në vitin 2044 për ta shlyer me kredi. Kam shlyer një pjesë kam dhe 18 vite të tjera për ta shlyer me kredi. Ai apartament nuk është i imi, është i bankës.
Ti paratë e call centerave i ke investuar në real estate dhe brenda një kohe të shkurtër ke bërë rishitjen me një çmim më të madh. Skemë të pastrimit të parave siç ke ngritur ti, nuk ka buf që nuk e kupton.




