
FIFA ka konfirmuar se është bërë objekt i një sulmi kibernetik, gjatë të cilit hakerët kanë arritur të depërtojnë në sistemet e organizatës dhe të marrin informacione të brendshme.
Lajmi është bërë i ditur nga faqja e specializuar në sigurinë kibernetike “The Record”, sipas së cilës institucioni më i lartë i futbollit botëror ka pranuar se është përballur me një akses të paautorizuar në sistemet e tij. Bëhet fjalë për një sasi të kufizuar të të dhënave personale dhe atyre të kompanisë.
Në një reagim zyrtar, një zëdhënës i FIFA-s bëri të ditur se organizata po bashkëpunon ngushtë me autoritetet përkatëse dhe organet e zbatimit të ligjit për të hetuar incidentin.
FIFA dënoi ashpër vjedhjen dhe publikimin e paligjshëm të informacioneve, veçanërisht të të dhënave personale, duke paralajmëruar se veprime të tilla përbëjnë një shkelje serioze të privatësisë dhe mund të sjellin pasoja të rëndësishme për personat e përfshirë.
Ndërkohë, grupi i hakerëve i njohur si “Handsome Boy Hacking Club” (HBHC) pretendon se ka arritur të vjedhë më shumë se 12 GB të dhëna nga FIFA. Sipas raportimeve, grupi ka tentuar gjithashtu të përfitojë financiarisht duke i kërkuar organizatës para në këmbim të mospublikimit të materialeve, por përpjekja për shantazh ka dështuar.
Mes informacioneve që dyshohet se janë marrë nga sistemet e FIFA-s përfshihen dokumente identifikimi, të dhëna për emigracionin, dokumentacion financiar dhe ligjor, si dhe materiale që lidhen me qeverisjen e organizatës. Megjithatë, FIFA nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme mbi përmasat dhe natyrën e plotë të sulmit.
Ky incident vjen në një kohë kur sulmet kibernetike ndaj institucioneve të futbollit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Javën e kaluar, La Liga spanjolle njoftoi se hakerët kishin vjedhur të dhëna personale të tifozëve, duke prekur shërbimet e saj dixhitale dhe ato të disa klubeve në Spanjë.
Ndërsa në maj, policia holandeze arrestoi një 35-vjeçar, i dyshuar për ndërhyrje të paligjshme në sistemet informatike të Ajaxit. Edhe Federata Franceze e Futbollit ka raportuar një sulm kibernetik gjatë vitit 2025.
