Dubai krijon një gjigant bankar me 159 miliardë dollarë aktive, përmes bashkimit të dy bankave

Dubai Islamic Bank ka arritur një marrëveshje për blerjen e Emirates Islamic Bank, në një transaksion që do të krijojë grupin e dytë bankar islamik më të madh të listuar në bursë në botë, me aktive të kombinuara prej 159.2 miliardë dollarësh.
Marrëveshja, e miratuar nga bordet drejtuese të dy institucioneve, parashikon blerjen e 100% të kapitalit aksionar të Emirates Islamic Bank, aktualisht në pronësi të plotë të Emirates NBD.
Sipas The National, transaksioni do të jetë një nga më të mëdhenjtë në historinë e sektorit bankar të Emirateve të Bashkuara Arabe. Grupi i ri do të renditet pas bankës saudite Al Rajhi Bank.
Blerja do të realizohet tërësisht nëpërmjet emetimit të aksioneve të reja nga Dubai Islamic Bank. Në përfundim të transaksionit, Emirates NBD, institucioni financiar më i madh në Dubai, do të bëhet një aksioner i rëndësishëm strategjik i grupit të zgjeruar bankar.
Dubai Islamic Bank, e themeluar në vitin 1975, është aktualisht banka më e madhe islamike në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në fund të shtatorit 2026, aktivet e saj tejkalonin 427 miliardë dirhemë. Banka ka rreth 12,000 punonjës dhe mbi 540 degë në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë.
Emirates Islamic Bank ishte më parë e listuar në bursë, por u tërhoq nga tregtimi në qershor 2025, pasi Emirates NBD bleu aksionet e zotëruara nga aksionerët e pakicës. Marrëveshja synon të kombinojë pozicionin e fortë të Dubai Islamic Bank në financimin e korporatave me aktivitetin e Emirates Islamic në segmentin e individëve dhe të depozitave.
Drejtuesit e bankave presin që zgjerimi i bazës së depozitave të mundësojë uljen e kostove të financimit dhe përmirësimin e marzheve, ndërsa integrimi i infrastrukturës dhe optimizimi i rrjetit të degëve pritet të rrisin eficiencën operacionale.
Transaksioni pason një sërë konsolidimesh të rëndësishme në sektorin bankar të Emirateve. Në vitin 2017, bashkimi i National Bank of Abu Dhabi me First Gulf Bank krijoi First Abu Dhabi Bank, ndërsa në vitin 2019 u realizua bashkimi i Abu Dhabi Commercial Bank me Union National Bank dhe Al Hilal Bank.
Aksionet e Dubai Islamic Bank u rritën me 11% të hënën, pas raportimeve të para për blerjen e mundshme. Të mërkurën, ato e mbyllën tregtimin me një rritje prej 1.6%, në 8.92 dirhemë për aksion. Finalizimi i transaksionit mbetet subjekt i miratimit nga aksionerët, Banka Qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe autoritetet e tregut të kapitalit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









