Hetimet për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshaj, në Vaun e Dejës kanë shënuar një zhvillim të ri. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Vinçesk Pirolin dhe Kristian Ymerin (Shkambi), të dyshuar si të përfshirë në ekzekutimin e 65-vjeçarit.
Dy personat dyshohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Vendimi është marrë pas provave të administruara nga grupi hetimor në kuadër të hetimeve për ngjarjen e 4 gushtit 2025.
Ky zhvillim vjen në një moment kur të dy personat ndodheshin nën masa të tjera sigurie. Piroli kishte përfituar pak ditë më parë ndryshimin e masës nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”, me vendim të Gjykatës së Apelit, në lidhje me një tjetër çështje penale. Ndërsa Ymeri ndodhet i ndaluar për një vepër tjetër penale.
Të dy u arrestuan më 11 tetor 2026, së bashku me Elden Tarjan, gjatë operacionit policor të koduar “Detajet”. Në atë kohë, tre personat dyshoheshin se po përgatitnin një vrasje në zonën e Lezhës. Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi tri armë zjarri, municion luftarak dhe një motomjet të raportuar të vjedhur në Suedi.
Vrasja e Frrok Lleshajt
Ish-efektivi i policisë, Frrok Lleshaj, u vra mbrëmjen e 4 gushtit 2025 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës. 65-vjeçari u qëllua me armë zjarri pranë banesës së tij, duke humbur jetën në vendngjarje.
Një nga pistat e hetimit për këtë atentat ka qenë ajo e hakmarrjes. Për më shumë se një vit, autoritetet kanë vijuar punën për identifikimin dhe dokumentimin e personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në ekzekutimin e ish-policit.
Me vendosjen e masës së sigurisë ndaj Pirolit dhe Ymerit, hetimet kanë hyrë në një fazë të re, ndërsa mbetet për t'u zbardhur plotësisht roli i secilit prej tyre në këtë ngjarje të rëndë.