Lajmi i fundit

LIVE/ Seanca e Kuvendit - Diskutime për paketën fiskale dhe projekt buxhetin

Sulm kibernetik ndaj FIFA-s, hakerët vjedhin mbi 12 GB të dhëna dhe dokumente konfidenciale

Sulm kibernetik ndaj FIFA-s, hakerët vjedhin mbi 12 GB të dhëna dhe dokumente konfidenciale

14:22, 26/11/2026

FIFA ka konfirmuar se është bërë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, gjatë të cilit persona të paautorizuar kanë siguruar qasje në të dhëna personale dhe dokumente konfidenciale të organizatës.

Institucioni më i lartë i futbollit botëror ka njoftuar se po bashkëpunon me autoritetet dhe organet e sigurisë për të zbardhur incidentin.

Përgjegjësinë për sulmin dyshohet se e ka marrë grupi i hakerëve i njohur si “Handsome Boy Hacking Club” (HBHC), i cili pretendon se ka vjedhur më shumë se 12 gigabajt të dhëna nga sistemet e FIFA-s.

Sipas raportimeve, grupi ka tentuar fillimisht të përfitojë financiarisht përmes shantazhit ndaj organizatës, ndërsa pas dështimit të këtij plani, materialet e vjedhura janë publikuar në një forum të lidhur me aktivitetet kriminale kibernetike.

Dokumentet e publikuara pretendohet se përfshijnë të dhëna identifikimi dhe emigracioni, informacione financiare, dokumente ligjore, si dhe materiale që lidhen me drejtimin dhe qeverisjen e FIFA-s.

Megjithatë, FIFA nuk ka konfirmuar sasinë e saktë të të dhënave të komprometuara dhe as përmbajtjen e plotë të materialeve. Gjithashtu, mbetet e paqartë se sa persona mund të jenë prekur nga sulmi.

“FIFA konfirmon se ka qenë viktimë e një sulmi kriminal kibernetik, i cili ka rezultuar me qasje të paautorizuar në një numër të kufizuar të informacioneve personale dhe të biznesit”, deklaroi një zëdhënës i organizatës.

FIFA e ka dënuar ashpër vjedhjen dhe publikimin e paligjshëm të informacionit, duke e cilësuar këtë një shkelje serioze të privatësisë.

Ky incident vjen vetëm pak ditë pasi edhe La Liga raportoi një sulm të ngjashëm, gjatë të cilit u vodhën të dhëna personale të tifozëve të regjistruar në shërbimet e saj digjitale dhe në platformat e disa klubeve spanjolle.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco