Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim 10 persona, të akuzuar për pastrim parash nga trafiku i lëndëve narkotike në Itali, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që vepronte mes Shqipërisë dhe shtetit fqinj. Sipas SPAK, grupi kriminal ishte i përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e narkotikëve në Italinë e Jugut dhe zona të tjera të vendit, ndërsa paratë e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm transportoheshin drejt Shqipërisë përmes një rrjeti të organizuar korrierësh dhe shoferësh të transportit ndërkombëtar.