Gjykata Kushtetuese ka kaluar në seancë plenare tre ankime kundër akteve të qeverisë, të miratuara më 28 tetor, që rregullojnë fushën e protestave. Ankimet, siç bëhet me dije nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, janë depozituar në emër të studentëve që prej disa javësh zhvillojnë protesta, dhe synojnë të shqyrtojnë kushtetutshmërinë e dispozitave të miratuara nga qeveria.
Pak ditë më parë, dy grupime studentësh dhe katër organizata të shoqërisë civile iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar aktin normativ që i jep policisë kompetenca të reja lidhur me organizimin dhe zhvillimin e tubimeve publike. Në përmbajtjen e ankimit përmendet kontestin mbi autorizimin e policisë për të ndaluar ose kufizuar protesta, por edhe e drejta e saj për të kërkuar fshirjen e postimeve në rrjetet sociale lidhur me tubimet. Po ashtu, një tjetër dispozitë e kontestuar parashikon vendosjen e gjobave deri në 500 mijë lekë për shkelje të rregullave të protestave.
Në ankesa kërkohet gjithashtu shfuqizimi i dispozitës normative që parashikon përgjegjësinë e organizatorëve për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë gjatë demonstratave të muajit tetor. Studentët kanë shprehur kundërshtimin e tyre kundër këtij mekanizmi, duke argumentuar se ai ngarkon organizatorët me përgjegjësi për veprime të ndërmarra nga individë jashtë kontrollit të tyre.
Një tjetër çështje e ngritur përpara Gjykatës është praktika e regjistrimit policor të protestuesve në organet e prokurorisë, e cila, sipas ankuesve, po përdoret në mënyrë që të refuzohet leja për daljen jashtë vendit ndaj disa prej tyre. Studentët kanë kundërshtuar këtë praktikë dhe e kanë cilësuar atë si antikushtetuese.
Me vendimin për të kaluar ankimet në seancë plenare, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e dispozitave të ndryshme të miratuara më 28 tetor që lidhen me kontrollin dhe sanksionimin e protestave. Top Channel
