“Ju do të festoni 12-vjetorin e tortës së Lulit”/ Manja ironizon opozitën për protestën e 28 nëntorit dhe mbron aktet normative për tubimet
Demokratët kërkojnë që zgjedhjet lokale të mos zhvillohen sipas një territori të ri, por mbi bazën e ndarjes së vjetër administrative.
Gjashtë muaj pas betejës së pranverës, harta e re territoriale ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Katër janë shkeljet kushtetuese që ka konstatuar grupi parlamentar demokrat. Si kryesoren në padinë e tij, Gazment Bardhi rendit kartonët që mazhoranca përdori për miratimin e hartës së re territoriale.
Kreu i grupit parlamentar demokrat pretendon se ligji ka marrë vetëm 82 vota të vlefshme dhe jo 85, pasi thotë se disponon prova se, në vend të deputetes Mirela Kumbaro, ka votuar një punonjëse e administratës, ndërsa deputetët Zegjine Çaushi dhe Tedi Mula kanë marrë mandatin në kundërshtim me procedurat ligjore.
“Përveç shfuqizimit të plotë të ligjit, deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes, për shkak të interesit të lartë publik dhe afërsisë së zgjedhjeve vendore, të dekretuara për 9 maj 2027”, tha Gazment Bardhi.
Nëse përgatitjet për zgjedhjet nisin mbi bazën e hartës së re territoriale me 46 bashki dhe Gjykata Kushtetuese e shfuqizon më pas ligjin, mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për organizimin e tyre në 61 bashkitë ekzistuese. Pezullimi i ligjit synon të shmangë pikërisht këtë rrezik.
Në mesnatën e 8 tetorit, mes një seance të tensionuar, socialistët, falë edhe tre kartonëve të socialdemokratëve të Tom Doshit, arritën të miratonin me 85 vota hartën e reformës së re administrativo-territoriale, pavarësisht kundërshtisë së opozitarëve dhe qytetarëve, të cilët protestuan jashtë dyerve të Kuvendit.
Top Channel