Në prani të komisioneres europiane për Zgjerim, Marta Kos, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, bëri thirrje për  konsensus për reformat që i shërbejnë anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përfshirë edhe ndryshimet në legjislacionin zgjedhor.

Kos mori pjesë këtë të enjte në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), struktura më e lartë këshillimore kombëtare pranë Kuvendit për procesin e integrimit të vendit në BE. Pjesa e parë e takimit drejtohet nga Taulant Balla, ndërsa pjesa e dytë nga deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Në hapje të takimit, Balla e cilësoi komisioneren Kos një mike të Shqipërisë dhe mbështetëse të vendosur të perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit, ndërsa iu referua një thënieje të ish-kancelarit gjerman Konrad Adenauer.

“E dashur Marta, ‘BE ishte ëndërr e disave, u bë shpresa e shumëkujt, sot është domosdoshmëri për të gjithë ne’, do të thoshte disa dekada më parë Konrad Adenauer. Prania juaj sot në këtë tryezë që bashkon përfaqësues të të gjitha forcave politike, institucionet e drejtësisë, sipërmarrjen, është dëshmi e rëndësisë së procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist theksoi se, pavarësisht dallimeve mes mazhorancës dhe opozitës, anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet një objektiv i përbashkët.

“Ky nuk është objektivi vetëm i qeverisë, por objektivi ynë mbarëkombëtar, që përshkon programet e forcave politike dhe angazhimin e institucioneve. Mund të kemi qasje të ndryshme mbi qeverisjen, por destinacioni ynë i përbashkët është Shqipëria në BE. Vullneti ynë politik është i plotë për të çuar përpara reformat, por pika jonë e referimit mbeten vlerat e Bashkimit Europian. Anëtarësimi në BE është një zgjedhje për modelin që duam të ndërtojmë këtu në vend”, u shpreh ai.

Balla u ndal posaçërisht te reforma zgjedhore, duke kërkuar që edhe ndryshimet e ardhshme në legjislacion të miratohen me konsensus mes forcave politike.

“Në këtë fazë, konsensusi politik merr një rëndësi më të madhe se kurrë më parë. Legjislacioni ynë zgjedhor ekzistues është rrjedhojë e konsensusit tonë politik dhe besoj se edhe ndryshimet e ardhshme duhet të bëhen po me konsensus. Dallimet që na mbajnë larg njëri-tjetrit nuk duhet të bëhen pengesë në përmbushjen e objektivave kombëtare. Objektivi ynë është t’i kthejmë rekomandimet në rezultate legjislative dhe në ndryshime të prekshme për të gjithë qytetarët”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së theksoi gjithashtu rolin e Kuvendit në mbikëqyrjen e zbatimit të reformave, ndërsa i kërkoi komisioneres Kos më shumë mbështetje nga BE-ja për integrimin europian të Kosovës.

“Kuvendi duhet të jetë jo vetëm institucioni që miraton, por edhe ai që mbikëqyr zbatimin dhe garanton llogaridhënien. Ju kërkojmë më shumë mbështetje edhe për rrugëtimin europian të Kosovës”, tha Balla.