Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa: Gjobat për protestuesit janë antikushtetuese, do t’i merrni mbrapsht me më shumë urrejtje dhe rebelim


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, kundërshtoi nga foltorja e Kuvendit aktin normativ për tubimet dhe gjobat ndaj protestuesve, duke i cilësuar masat antikushtetuese.

Gjatë fjalës së saj, Zhupa replikoi edhe me Taulant Ballën, duke e konsideruar të turpshme votimin e një pakete që, sipas saj, kufizon të drejtat e qytetarëve për të protestuar dhe për t’u grumbulluar.

“S’ka turp më të madh pasi ke bërë aktet më barbare dhe të vish këtu për të votuar një paketë. Sillni paketa antikushtetuese në emër të Ramës për protestuesit. Në cilin model e keni gjetur që ju ndalohet njerëzve të rrinë në grupe? Ku e keni gjetur ju që vendosni gjoba 5 milionë pse po kalon në rrugë apo pse po ngre flamurin shqiptar?”, u shpreh Zhupa.

Ajo tha se masa të tilla, sipas saj, janë karakteristike për shoqëritë komuniste dhe paralajmëroi se qytetarët do t’i kundërpërgjigjen qeverisë me më shumë revoltë.

“Kjo ekziston në shoqëritë komuniste. Ato janë antikushtetuese dhe do t’i merrni mbrapsht me 10-fish më shumë urrejtje dhe rebelim. Sipas të dhënave të agjencisë suaj nuk keni identifikuar policët që thyen këmbët, çanë kafkat. Sot ju nuk përfaqësoni askënd, sot ju përfaqësoni vetëm një grusht. Gjobën më të madhe do ta merrni në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi deputetja e PD-së.