
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka apeluar për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës në funksion të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke vënë theksin te rëndësia e konsensusit për reformën zgjedhore. Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ku e pranishme ishte edhe komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos.
Në fjalën e tij, Balla nënvizoi se integrimi europian duhet të qëndrojë mbi ndasitë politike, duke e cilësuar anëtarësimin në BE një objektiv të përbashkët kombëtar dhe jo vetëm një angazhim të qeverisë. “Ky nuk është objektivi vetëm i qeverisë, por objektivi ynë mbarëkombëtar, që përshkon programet e forcave politike dhe angazhimin e institucioneve. Mund të kemi qasje të ndryshme mbi qeverisjen, por destinacioni ynë i përbashkët është Shqipëria në BE”, deklaroi Balla.
Në fokus të fjalës së tij ishte edhe reforma zgjedhore. Kreu i deputetëve socialistë argumentoi se ndryshimet e ardhshme në legjislacionin zgjedhor duhet të jenë produkt i dakordësisë mes palëve politike. “Në këtë fazë, konsensusi politik merr një rëndësi më të madhe se kurrë më parë. Legjislacioni ynë zgjedhor ekzistues është rrjedhojë e konsensusit tonë politik dhe besoj se edhe ndryshimet e ardhshme duhet të bëhen po me konsensus”, u shpreh ai.
Balla kërkoi që përplasjet politike të mos kthehen në pengesë për realizimin e reformave, ndërsa theksoi nevojën që rekomandimet të konkretizohen në ndryshime ligjore me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët. “Dallimet që na mbajnë larg njëri-tjetrit nuk duhet të bëhen pengesë në përmbushjen e objektivave kombëtare. Objektivi ynë është t’i kthejmë rekomandimet në rezultate legjislative dhe në ndryshime të prekshme për të gjithë qytetarët”, shtoi Balla.
Duke iu drejtuar komisioneres Kos, kreu i grupit parlamentar socialist kërkoi gjithashtu një angazhim më të madh të Bashkimit Europian në mbështetje të perspektivës integruese të Kosovës. “Kuvendi duhet të jetë jo vetëm institucioni që miraton, por edhe ai që mbikëqyr zbatimin dhe garanton llogaridhënien. Ju kërkojmë më shumë mbështetje edhe për rrugëtimin europian të Kosovës”, tha ai. Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian zhvillohet në dy pjesë, ku e para drejtohet nga Taulant Balla, ndërsa e dyta nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
