Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, akuzoi opozitën nga foltorja e Kuvendit për nxitje të dhunës gjatë protestave, instrumentalizim të të miturve dhe përhapje të të pavërtetave lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Ismaili deklaroi se dhuna nuk mund të justifikohet apo të trajtohet me standarde të dyfishta, duke denoncuar atë që e cilësoi si një veprim të koordinuar në sheshe dhe në rrjetet sociale për interesa politike.
“Dhuna ka vetëm një perceptim, ka vetëm një emër, që është dhunë. Nuk mundet dot që të justifikohet dhuna as në sheshe, as online”, u shpreh ministrja.
Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës për të miturit e lënduar gjatë protestave, Ismaili vuri në pikëpyetje përgjegjësinë njerëzore dhe institucionale të organizatorëve.
“Po si mundet dot të vini me krenari këtu të lexoni një listë të tërë emrash minorenësh? Pak njerëzillëk nuk e keni?”, deklaroi ajo.
Ministrja kritikoi gjithashtu veprimet e protestuesve që, sipas saj, kanë penguar studentët të vijojnë procesin mësimor në universitete, ndërsa mbrojti ndërhyrjet e Policisë së Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë.
“Ku është parë që huliganë protestues të shkojnë dhe të nxjerrin me dhunë studentë nga auditoret vetëm sepse nuk e pranokan dot që studenti shkon në universitet për të mësuar?”, tha Ismaili.
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja e cilësoi opozitën si të mbetur në grahmat e fundit, duke e akuzuar se, pas humbjes së zgjedhjeve, po përdor të miturit për të mbajtur gjallë përpjekjet politike.
“Në grahmën e fundit është një opozitë e cila ka humbur zgjedhje të lira e të ndershme dhe që për karriget e veta të munguara është gati të nxjerrë si mish për top edhe të miturit, ndër të tjera, dhe që është gati të vijojë të tentojë të bëjë të ardhmen e Shqipërisë kurban për gjithë dështimet madhështore që ka patur ndër vite”, përfundoi Ismaili.
