Një 43-vjeçar është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkolla të Pastra”, pasi dyshohet se shpërndante kokainë pranë institucioneve arsimore.

Në pranga ka rënë Selam Imeraj, i cili u kap në një lokal në rrugën “Viktor Eftimiu”, në afërsi të një shkolle.

Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 30 doza kokaine, të përgatitura për shitje. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan edhe 393.6 gramë të kësaj lënde narkotike, të cilën dyshohet se 43-vjeçari do ta ndante në doza për ta shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në total, sasia e kokainës së sekuestruar arrin në rreth 407 gramë. Gjithashtu, policia sekuestroi edhe dy telefona celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.