Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, komentoi protestat e zhvilluara në Shqipëri dhe kërkesat e qytetarëve për luftë kundër korrupsionit, transparencë dhe forcimin e shtetit të së drejtës, duke theksuar se ato nuk përbëjnë pengesë për procesin e integrimit evropian.
Përkundrazi, sipas saj, këto shqetësime mund ta ndihmojnë vendin të përparojë më shpejt drejt anëtarësimit në BE.
Gjatë fjalës së saj në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, Kos nënvizoi se Komisioni Evropian nuk ndërhyn në debatet e brendshme politike të Shqipërisë, por ka përgjegjësinë të sigurojë përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim.
Ajo theksoi se një pjesë e shqetësimeve të ngritura gjatë protestave lidhen drejtpërdrejt me negociatat dhe se institucionet evropiane do t’i trajtojnë me seriozitet.
“Komisioni Evropian nuk merr anë në diskutimin e brendshëm politik në Shqipëri. Përgjegjësia jonë është që të sigurohemi që standardet që kërkohen për anëtarësimin në BE të përmbushen. Të bëhesh shtet anëtar në BE do të thotë të bëhesh pjesë e një komuniteti demokracish dhe kjo nuk mund të matet thjesht vetëm me përmbushjen e rregullave të BE-së, sepse disa nga shqetësimet që janë ngritur nga protestat e fundit kanë të bëjnë dhe janë të lidhura ngushtësisht me negociatat e anëtarësimit dhe ne do të bëjmë patjetër pjesën tonë për t’i trajtuar ato”, deklaroi Kos.
Komisionerja tha se qytetarët që kërkojnë veprim kundër korrupsionit, më shumë transparencë dhe mbrojtje të mjedisit nuk po pengojnë integrimin, por po krijojnë mundësi për përparim më të shpejtë të Shqipërisë. Ajo shtoi se këto shqetësime janë ngritur edhe nga shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian.
“Qytetarët që kërkojnë veprim kundër korrupsionit, transparencë më të madhe ose mbrojtje më të mirë mjedisore, mund ta ndihmojnë Shqipërinë duke e shtyrë atë përpara në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Ata nuk po pengojnë anëtarësimin në BE, përkundrazi, ofrojnë mundësinë për të ecur përpara më shpejt. Kërkesat e tyre janë pasqyruar nga shumë shtete anëtare dhe në Parlamentin Evropian. Këto shqetësime merren seriozisht dhe ne angazhohemi me ata që i kanë ngritur. Kjo do të fuqizojë besueshmërinë dhe kredibilitetin e Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian”, u shpreh komisionerja.
Duke folur për perspektivën e Shqipërisë në BE, Marta Kos tha se vendi ndodhet përpara një mundësie historike dhe se viti 2027 mund të jetë vendimtar për avancimin e procesit.
Ajo identifikoi tre prioritete kryesore: vazhdimin e reformave dhe zbatimin e legjislacionit në praktikë, forcimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin ligjvënës dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike përmes dialogut demokratik.
Sipas saj, reformat duhet të japin rezultate konkrete veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në përmbushjen e standardeve mjedisore.
Kos u bëri thirrje të gjitha forcave politike dhe shoqërisë shqiptare të bashkëpunojnë, duke theksuar se integrimi evropian nuk mund të jetë projekt vetëm i qeverisë apo i një partie politike.
“Anëtarësimi në BE është projekt kombëtar, jo vetëm projekti i një partie të vetme apo vetëm i qeverisë. Të gjitha rrymat e politikës dhe shoqërisë shqiptare duhet të bëhen bashkë, sepse në këtë formë do të fuqizohet pozicioni i Shqipërisë me shtetet anëtare”, deklaroi ajo.
Në përfundim, komisionerja konfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian dhe të saj personale për objektivin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027, për të nënshkruar Traktatin e Anëtarësimit në vitin 2028 dhe për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.
“Unë jam mike e shqiptarëve dhe prandaj, si komisionere për Zgjerimin, për herë të parë një komisionere që vij nga Ballkani Perëndimor, do të punoj pa u lodhur për ta ndihmuar Shqipërinë që të japë të gjitha rezultatet që duhen. Kjo do të thotë mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit në 2028 dhe që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i familjes evropiane deri në vitin 2030. Mund të mbështeteni te Komisioni Evropian dhe te mbështetja ime personale”, përfundoi Marta Kos.
