Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe BEI: 2 milionë euro grante për inovacion dhe tranzicion të gjelbër

Pas linjës së kredisë prej 20 milionë eurosh të njoftuar në maj, partneriteti mes Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Bankës Evropiane të Investimeve zgjerohet me 2 milionë euro grante të Bashkimit Evropian për kompanitë që investojnë në inovacion, dixhitalizim dhe tranzicionin e gjelbër.
Për bizneset shqiptare, investimi në teknologji, eficiencë dhe modele më të qëndrueshme po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për rritjen dhe konkurrueshmërinë afatgjatë. Pikërisht në këtë drejtim synon të kontribuojë faza e re e bashkëpunimit mes Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI).
Më 26 nëntor 2026, gjatë konferencës BE–Ballkani Perëndimor për investimet në Tiranë, dy institucionet nënshkruan një marrëveshje për të vënë në dispozicion të kompanive shqiptare 2 milionë euro grante të Bashkimit Evropian për investime në inovacion dhe tranzicionin e gjelbër.
Marrëveshja e re mbështetet në linjën e kredisë prej 20 milionë eurosh të prezantuar në maj 2026, në kuadër të Instrumentit për Inovacionin dhe Transformimin e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Financimi synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe kompanitë me kapitalizim të mesëm, në investimet e tyre për modernizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të veprimtarisë.
Financim dhe grante për investimet e së ardhmes
Elementi i ri i këtij bashkëpunimi është kombinimi i financimit me mbështetjen përmes granteve. Kompanitë që përmbushin kriteret mund të përfitojnë grante që mbulojnë deri në 10% të kostove të projekteve të tyre, duke krijuar mundësi shtesë për realizimin e planeve të investimit.
“Në Intesa Sanpaolo Bank Albania, ne e shohim veten si partner afatgjatë të bizneseve, duke mbështetur aftësinë e tyre për të investuar, për të sjellë risi dhe për të konkurruar në një treg europian gjithnjë e më dinamik. Duke kombinuar linjën e kredisë prej 20 milionë Euro të Bankës Europiane të Investimeve (BEI) me këtë grant prej 2 milionë Euro të BE-së, po i mundësojmë kompanive shqiptare burime financiare shtesë dhe po i ndihmojmë ato të përshpejtojnë investimet në dixhitalizim dhe në tranzicionin e gjelbër, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e qëndrueshme dhe në konkurrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë shqiptare”, tha Giuseppe Giampietro, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Mbështetja mund të përfshijë investime në dixhitalizimin e proceseve të biznesit dhe përdorimin e teknologjive të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, robotikën dhe bioteknologjinë.
Në kuadër të tranzicionit të gjelbër, investimet e kualifikueshme përfshijnë gjithashtu iniciativa në bujqësinë e qëndrueshme, ekoturizëm, mbrojtjen e biodiversitetit dhe ruajtjen e ekosistemeve.
“Ky grant do t’i ndihmojë kompanitë të rrisin investimet në inovacion dhe të përshpejtojnë tranzicionin e tyre digjital dhe të gjelbër”, tha Richard Amor, Drejtor i BEI-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë. “Teksa kompanitë shqiptare digjitalizohen, dekarbonizohen dhe përvetësojnë modele të reja biznesi, ato do të bëhen më konkurruese dhe do të kontribuojnë në procesin e integrimit të vendit në BE.”
Më pranë mundësive të tregut evropian
Granti prej 2 milionë eurosh financohet nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), duke e lidhur më tej sektorin privat shqiptar me instrumentet evropiane të financimit dhe investimit.
“Bashkimi Evropian është i përkushtuar të mbështesë sektorin privat të Shqipërisë nëpërmejt një sërë programesh dhe instrumentesh financiare, përfshirë mbështetjen nëpërmejt EIB-it, bankës së BE-së, si dhe bankave tregtare si Intesa Sanpaolo,” tha Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri. “Qëllimi ynë është të ndihmojmë në ndërtimin e një ekosistemi dinamik dhe të shëndetshëm të inovacionit, të aftë për të konkurruar me homologët e tij evropianë deri në momentin kur Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe më tej, duke krijuar vende pune dhe gjeneruar mirëqenie për qytetarët shqiptarë.”
Për Intesa Sanpaolo Bank Albania, pjesë e Grupit Intesa Sanpaolo, zgjerimi i bashkëpunimit me BEI-në reflekton një model mbështetjeje të biznesit që shkon përtej kreditimit tradicional. Kjo qasje synon të lidhë kapitalin me nevojat konkrete të investimit dhe të shoqërojë kompanitë në transformimin e tyre teknologjik dhe të qëndrueshëm.
Me linjën e financimit prej 20 milionë eurosh dhe mbështetjen shtesë prej 2 milionë eurosh në grante të Bashkimit Evropian, ky partneritet krijon një kuadër më të gjerë për kompanitë shqiptare që synojnë të investojnë, të modernizohen dhe të forcojnë konkurrueshmërinë e tyre në një treg evropian gjithnjë e më të integruar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









