Shqiptarja nga Gjilani Anila Aliu punësohet në Universitetin Concordia në Chicago
Një tjetër sukses i shqiptarëve në diasporë vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku e reja nga Gjilani, Anila Aliu, është punësuar zyrtarisht në Concordia University Chicago.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Aliu përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur emocionet dhe mirënjohjen për mundësinë që i është dhënë për të vazhduar rrugëtimin e saj profesional në një institucion universitar amerikan, shkruan Telegrafi.
Ajo ka theksuar se marrja e një përgjegjësie të tillë në moshë të re ka një domethënie të veçantë për të.
“Me shumë gëzim dhe emocion dua të ndaj me ju lajmin se tashmë jam zyrtarisht e punësuar në Universitetin Concordia University Chicago. Të mbaj një përgjegjësi të tillë profesionale në këtë moshë të re ka një domethënie të veçantë për mua. Është një privilegj, por mbi të gjitha një besim që do ta vlerësoj gjithmonë”, ka shkruar Aliu, transmeton Telegrafi.
Gjilanasja ka shprehur gjithashtu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mundësitë që i kanë ofruar në realizimin e ëndrrave dhe zhvillimin e karrierës së saj.
“Mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që më hapi dyert, më dha mundësinë të ndërtoj ëndrrat e mia dhe sot më besoi një rol të tillë”, ka shtuar ajo.
Aliu nuk ka bërë të ditur pozitën specifike që do të ushtrojë në universitet, por është shprehur entuziaste për kapitullin e ri të karrierës së saj.
Arritja e saj përbën një tjetër shembull të rrugëtimit profesional të të rinjve shqiptarë në diasporë dhe të integrimit të tyre në institucionet akademike ndërkombëtare./Telegrafi/





























