
Diskutimet mbi aktet normative për tubimet dhe dëmet e shkaktuara gjatë protestave kanë sjellë përplasje në seancën e sotme plenare mes ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, dhe deputetit të Partisë Demokratike, Saimir Korreshi. Ministri i Brendshëm akuzoi grupe të caktuara politike për përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke pretenduar se në disa raste ata janë paguar për të ushtruar dhunë gjatë protestave. “Është e pafalshme që grupe të caktuara, edhe politike, i përdorin minorenët për të mbuluar aktet e dhunës. Është provuar në procese gjyqësore që minorenët janë paguar për të ushtruar dhunë në protestë”, deklaroi Demo.
Gjatë fjalës së tij, ministri bëri të ditur se nga mbi 300 persona të dëmtuar gjatë protestave, më shumë se 200 kanë qenë punonjës të policisë. Ai përmendi gjithashtu dëmtimin e mbi 30 bankave dhe sulmin ndaj Bankës së Shqipërisë. Duke mbrojtur ndërhyrjen e forcave të rendit, Demo hodhi poshtë pretendimet e opozitës për vendosjen e kryeqytetit në shtetrrethim. “Policia ishte aty ta çlironte Tiranën nga dhunuesit që donin ta shkatërronin dhe shkatërruan mjaft”, u shpreh ministri.
Debati u intensifikua pasi Demo i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë opozitës lidhur me organizimin e grupeve të dhunshme gjatë protestave në kryeqytet. “A është PD pas organizimit të grupeve të dhunshme në protestat e zhvilluara në Tiranë?”, pyeti ai. Në kundërpërgjigje, deputeti demokrat Saimir Korreshi i kërkoi ministrit t’u referohej deklaratave të bëra në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku, sipas tij, përfaqësues të kësaj force politike kishin akuzuar njëri-tjetrin për pagesën e personave që ushtronin dhunë në protesta.
“Pyetjen tënde që është organizatore Partia Demokratike, e ke përgjigjen në Asamblenë tënde të PS-së, kur e akuzonit njëri-tjetrin për 300 mijë lekë për hedhje guri. Ktheje kasetën e Asamblesë dhe do ta gjesh përgjigjen, e ke përgjigjen aty”, deklaroi Korreshi.
Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve, duke theksuar se kishte qenë i pranishëm në protestë së bashku me familjen e tij. “Unë nuk e kam parë nga TV protestën, kam qenë pjesë me duar në xhepa e me familjen time e s’kam shkuar as me molotov, as me kallash e as me gurë”, tha ai. Korreshi i kërkoi ministrit të ndërmarrë veprime konkrete ligjore ndaj personave të dyshuar për organizimin e dhunës, nëse disponon prova për përfshirjen e tyre. “Kapi e arrestoji, jo llafe kot, jo retorikë, se ka një procedurë”, iu drejtua deputeti ministrit.
